Ministry of Justice

Ministri Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se parlamenti ka dy detyra njëherësh, të mbrojë pavarësinë e drejtësisë dhe mbrojë çdo lekë të qytetarit që e paguan atë drejtësi. Ai theksoi se kush zgjedh vetëm njërën detyrë, nuk zgjidh asgjë, por vetëm e zhvendos problemin.
Gogu iu drejtua edhe përfaqësueses së opozitës, duke e akuzuar për ndryshime të shpeshta të qendrimeve. Sipas tij, opozita nuk niset nga pyetja çfarë është e drejtë, por nga pyetja çfarë i duhet asaj sot.

’Sot Kuvendi ka dy detyra, jo një. Të mbrojë pavarësinë e drejtësisë. Dhe të mbrojë çdo lek të qytetarit që e paguan atë drejtësi. Kush zgjedh vetëm njërën, nuk ka zgjidhur asgjë. Ka zhvendosur problemin. Dhe nis nga pyetja që i paraprin të gjithave: kush e ka kompetencën ta bëjë këtë? Përgjigjen nuk e jap unë. E jep dispozitivi i vendimit, pika e tretë, me fjalë që nuk lënë hapësirë interpretimi: detyrimin e Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme. Jo të Këshillave. Jo të Qeverisë. Jo të Ministrisë. Ky rregull nuk u shkrua për ta kufizuar gjyqësorin. U shkrua për ta mbrojtur. Sepse ajo që sot jepet me një akt jashtë ligjit, nesër merret me një akt tjetër jashtë ligjit. Kur themi se paga caktohet me ligj, ne nuk po mbrojmë pushtetin e Kuvendit. Po mbrojmë gjyqtarin nga çdo qeveri, nga çdo ministër, nga çdo shumicë, përfshirë këtë’.

Ministri ju drejtua dhe përfaqësuese të opozitës lidhur me qendrimin e tyre për këtë cështje.

‘Keni ndërruar kryetarë. Keni ndërruar aleanca. Keni ndërruar qëndrime për të njëjtat institucione dy herë brenda një mandati, dhe ndoshta do t’i ndërroni sërish nesër. Ajo që nuk ka ndryshuar kurrë është pyetja nga e cila niseni: jo “çfarë është e drejtë”, por “çfarë më duhet mua sot”. Orientimi me hënë ka një problem praktik: ecën, por vjen vërdallë. Pas dhjetë vjetësh rrotullimi, njeriu e gjen veten aty ku nisi, duke pyetur pse nuk mbërriti askund’.