Ministry of Justice

Ministria e Drejtësisë, në bazë të ligjit nr. 82/2021 dt. 24.06.2021 “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, në bazë të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 167 datë 27/04/2022 i ndryshuar “Për përcaktimin e rregullave më të hollësishme për paraqitjen dhe trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave”, shpall thirrjen për shprehje interesi për kandidatët për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave.

Në zbatim të nenit 2 pika 1 të urdhrit të lartpërmendur, “Pas miratimit të Ministrit të Drejtësisë për hapjen e thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit për përkthyes zyrtar dhe interpret të gjuhës së shenjave, thirrja publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Drejtësisë 90 ditë përpara datës së provimit të kualifikimit të përcaktuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë”.

1) Kandidati për përkthyes zyrtar ose për interpret të gjuhës së shenjave paraqet me postë pranë Ministrisë së Drejtësisë shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues, brenda 30 ditëve nga data e publikimit të thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit.

Afati i aplikimit fillon në datën 01.09.2026 dhe përfundon në datën 30.09.2026

Shprehja e interesit përmban këto të dhëna:

  1. a) emrin, mbiemrin, atësinë, amësinë, datëlindjen, vendlindjen, numrin personal të identifikimit, gjininë dhe shtetësinë e kandidatit;
  2. b) adresën e vendbanimit, numrin telefonik dhe adresën elektronike të kandidatit;
  3. c) gjuhën/gjuhët për të cilat kandidati për përkthyes zyrtar do t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit.

(Formularin e shprehjes së interesit mund ta shkarkoni këtu, ta plotësoni dhe nënshkruani).

Kandidati për përkthyes zyrtar paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë bashkë me shprehjen e interesit paraqet dhe dokumentacionin shoqërues si vijon:

  1. a) kopje të mjetit të identifikimit;
  2. b) jetëshkrimin në gjuhën shqipe;
  3. c) kopje të njehsuar me origjinalin të diplomës së ciklit të dytë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, të licencuara dhe të akredituara sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të diplomës, ose diplomën e të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njehsuar pranë ministrisë përgjegjës për arsimin;

ç) vërtetim, nga institucionet ku ka ushtruar detyrën ose funksionin publik, se ndaj tij nuk është dhënë masa disiplinore e shkarkimit për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, ose nëse është dhënë kjo masë, vërtetim nga institucioni që kjo masë disiplinore është shuar, sipas legjislacionit në fuqi;

  1. d) dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe lëshuar nga Universiteti i Tiranës, kur kandidati është shtetas i huaj;
  2. dh) kopje të njehsuar me origjinalin të librezës së punës(nëse ka);
  3. e) formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore, të plotësuar dhe të nënshkruar. (shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dhe /ose vërtetimin e gjendjes gjyqësore të cilin e merr përmes e-Albania).

ë) formularin e vetëdeklarimit mbi zotërimin e zotësisë së plotë për të vepruar, të plotësuar dhe të nënshkruar ;( Shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë ) dhe/ose vërtetim nga gjykata për zotërimin e zotësisë për të vepruar

  1. f) deklarimin mbi dhënien e pëlqimit për kryerjen e njoftimeve me mjete të komunikimit elektronik, të plotësuar dhe të nënshkruar. ( Shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë )

Kur kandidati është shtetas i huaj, përveç dokumenteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij urdhri, paraqet edhe vërtetimin e gjendjes gjyqësore dhe vërtetimin mbi zotësinë e plotë për të vepruar, të lëshuara nga organet përgjegjëse të vendit të origjinës.

2) Kandidati për interpret të gjuhës së shenjave paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin shoqërues, si vijon:

  1. a) kopje të mjetit të identifikimit;
  2. b) jetëshkrimin ne shqip;
  3. c) formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore, të plotësuar dhe të nënshkruar ( Shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë ) dhe /ose vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

ç) formularin e vetëdeklarimit mbi zotërimin e zotësisë së plotë për të vepruar, të plotësuar dhe të nënshkruar ; ( Shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë ) dhe/ose vërtetim nga gjykata për zotërimin e zotësisë për të vepruar

  1. d) deklarimin mbi dhënien e pëlqimit për kryerjen e njoftimeve me mjete të komunikimit elektronik, të plotësuar dhe të nënshkruar. ( Shkarkohet online nga faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë )

3) Kandidati për përkthyes zyrtar, që plotëson kushtet për t’u përjashtuar nga detyrimi për dhënien e provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar, sipas parashikimeve të ligjit, përveç dokumentacionit të parashikuar në nenin 3, paraqet edhe dokumentacionin shoqërues, si vijon:

  1. a) kërkesën për përjashtimin nga provimi i kualifikimit;
  2. b) vërtetim nga institucioni i arsimit të lartë pranë të cilit ka punuar mbi periudhën e punësimit, si dhe lëndët që ka dhënë gjatë saj, si dhe kopje e njehsuar me origjinalin të diplomës për marrjen e gradës ose titullit shkencor në fushën e përkthimit të gjuhës së huaj përkatëse, për kandidatin e parashikuar nga neni 16, pika 7, shkronja “a”, e ligjit;
  3. c) vërtetim nga institucioni pranë të cilit ka punuar mbi periudhën e punësimit, përshkrimin e punës, si dhe dokumente të tjera që provojnë punësimin e kandidatit pa ndërprerje si përkthyes në institucionet qendrore të administratës shtetërore, si dhe në organizatat ndërkombëtare ose në institucionet e Bashkimit Evropian, për kandidatin e parashikuar nga neni 16, pika 7, shkronjat “b” dhe “c”, të ligjit.

Pas verifikimit paraprak të dokumentacionit shoqërues dhe verifikimit të kritereve ligjore sipas afateve të përcaktuara, miratohet lista paraprake me numrin unik të identifikimit të kandidatëve të kualifikuar për të marrë pjesë në provim, si dhe ajo e kandidatëve të shkualifikuar, e cila publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Pas miratimit nga Ministri i Drejtësisë, lista përfundimtare me numrin unik të identifikimit të kandidatëve të kualifikuar për provim publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Vetëm pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar për pjesëmarrje në provim, kryhet pagesa në vlerën 10.000 Lekë në një nga Bankat e nivelit të dytë. Mandati i kryerjes së pagesës paraqitet ditën e provimit nga kandidati.

Dokumentet bashkëlidhur thirrjes duhet të plotësohen dhe dorëzohen si pjesë e dokumentacionit :

o Fatura për arkëtimin e vlerës së mësipërme shkarkohet online dhe paraqitet në bankën ku do të kryhet pagesa.

o Formulari i shprehjes së interesit të kandidatit për provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar

o Vetëdeklarim mbi zotërimin e zotësisë së plotë për të vepruar

o Vetëdeklarim mbi marrjen e njoftimeve me mjete elektronike

o Formular i vetdeklarimit të gjendjes gjyqësore