Ministry of Justice

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik 2016 shënoi fillimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, një nga proceset më të rëndësishme të transformimit institucional në historinë e shtetit shqiptar pas vitit 1990. Ligji kushtetues nr. 76/2016 hyri në fuqi më 11 gusht 2016, duke krijuar një arkitekturë të re kushtetuese për organizimin dhe qeverisjen e sistemit të drejtësisë.

Reforma ndryshoi mënyrën e organizimit dhe të qeverisjes së pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë. Në këtë kuadër u krijuan ose u rikonceptuan institucione të reja kushtetuese, ndër to Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, si dhe u ngritën Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe struktura të tjera të specializuara. Një element qendror i reformës ishte edhe procesi i rivlerësimit kalimtar (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i parashikuar si mekanizëm i posaçëm kushtetues.

Në këtë arkitekturë të re institucionale ndryshoi edhe roli i Ministrisë së Drejtësisë. Në përputhje me parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë, Ministria vijoi të ushtrojë funksionet e saj në hartimin e politikave publike në fushën e drejtësisë, përgatitjen dhe kodifikimin e legjislacionit, koordinimin ndërinstitucional, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, administrimin e shërbimeve të drejtësisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të varësisë, pa ushtruar kompetenca mbi organet kushtetuese të qeverisjes së sistemit gjyqësor.

Reforma në drejtësi u zhvillua paralelisht me procesin e integrimit europian, në të cilin sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve të drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit përbëjnë elemente themelore të procesit të anëtarësimit. Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Në vijim të këtij procesi, më 26 maj 2026 Shqipëria përmbushi standardet e ndërmjetme për Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, ndërsa më 14 korrik 2026 u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë negociues.

Në këtë fazë të zhvillimit institucional, Ministria e Drejtësisë vazhdon të ketë një rol qendror në hartimin e politikave të reformës në drejtësi, përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian, koordinimin e proceseve të integrimit europian në fushën e drejtësisë dhe administrimin e shërbimeve të saj, në përputhje me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Mbi një shekull pas krijimit të saj në vitin 1912, Ministria e Drejtësisë mbetet një nga institucionet themelore të shtetit shqiptar. Evolucioni i saj pasqyron zhvillimin e vetë shtetit shqiptar: nga ndërtimi i administratës së parë të drejtësisë, te kodifikimi i rendit juridik modern, funksionimi në periudha pushtimi dhe gjatë regjimit komunist, rikrijimi në tranzicionin demokratik dhe transformimi në kuadër të reformës në drejtësi dhe integrimit europian. Në këtë kuptim, historia e Ministrisë së Drejtësisë është njëkohësisht edhe histori e zhvillimit të shtetit ligjor në Shqipëri.