Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë është një nga institucionet themeluese të shtetit shqiptar. Ajo u krijua më 4 dhjetor 1912, me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, kur Petro Poga u emërua ministri i parë i Drejtësisë. Krijimi i saj shënoi fillimin e organizimit të administratës shtetërore të drejtësisë dhe të ngritjes së institucioneve juridike të shtetit shqiptar, duke i besuar këtij dikasteri përgjegjësinë për hartimin e legjislacionit dhe zhvillimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë.

Që prej themelimit, veprimtaria e Ministrisë është zhvilluar në rrethana të ndryshme politike, kushtetuese dhe institucionale, duke shoqëruar evolucionin e shtetit shqiptar. Ajo ka funksionuar gjatë viteve të para të shtetformimit, në Republikën dhe Monarkinë Shqiptare, në periudhën e pushtimeve të Luftës së Dytë Botërore, në sistemin socialist, në tranzicionin demokratik dhe në procesin e integrimit europian. Në secilën prej këtyre periudhave, organizimi, kompetencat dhe funksionet e saj janë përcaktuar nga rendi kushtetues dhe juridik i kohës.

Përgjatë më shumë se një shekulli, Ministria e Drejtësisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e legjislacionit shqiptar, në proceset e kodifikimit, në organizimin e administratës së drejtësisë dhe në mbështetjen e reformave juridike. Historia e saj pasqyron zhvillimin e institucioneve juridike shqiptare, ndryshimet e modeleve të organizimit të drejtësisë dhe përshtatjen e tyre me realitetet politike, shoqërore dhe kushtetuese të çdo periudhe historike.

Sot, Ministria e Drejtësisë ushtron funksionet e saj në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit. Ajo harton dhe koordinon politikat shtetërore në fushën e drejtësisë, kontribuon në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian dhe mbështet proceset e reformimit e të modernizimit të sistemit të drejtësisë.