Ministria e Drejtësisë

Prioritetet Strategjike të Ministrisë së Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë është e angazhuar për realizimin e një sistemi drejtësie që garanton shtetin e së drejtës, mbron të drejtat dhe liritë themelore të individit dhe ofron shërbime më të aksesueshme, më efikase dhe më transparente për qytetarët.

Veprimtaria e Ministrisë udhëhiqet nga tre prioritete strategjike, të harmonizuara me procesin e integrimit europian dhe me nevojat konkrete të sistemit të drejtësisë.

Akses më i mirë në drejtësi

Qytetarët duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe pa barriera të panevojshme. Për këtë arsye, Ministria po punon për zgjerimin e përfituesve të ndihmës juridike falas, përmirësimin e shërbimeve të informacionit dhe orientimit për qytetarët, si dhe forcimin e rolit të noterisë dhe shërbimit përmbarimor si pjesë e zinxhirit të aksesit në drejtësi.

Një sistem drejtësie më efikas

Efikasiteti i sistemit matet me aftësinë për të ofruar drejtësi në kohë dhe me cilësi. Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë, Ministria po mbështet masa konkrete për analizimin dhe reduktimin e backlog-ut gjyqësor, zhvillimin e mekanizmave të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve, përdorimin e teknologjisë dhe modernizimin e proceseve.

Mbrojtja e të drejtave dhe garancive procedurale

Forcimi i garancive procedurale mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë. Reforma legjislative përfshin punën për ndryshimet në kodet përkatëse, përputhjen me acquis të Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, përmirësimin e trajtimit të personave në konflikt me ligjin, zhvillimin e drejtësisë për të mitur, monitorimin e përdorimit të paraburgimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar.

Integrimi europian dhe modernizimi institucional

Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian përbën boshtin horizontal të të gjitha reformave të Ministrisë së Drejtësisë. Çdo ndërhyrje ligjore dhe institucionale synon përafrimin me acquis communautaire, zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe forcimin e kapaciteteve administrative përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Në të njëjtën kohë, Ministria po investon në transformimin digjital, përmirësimin e statistikave të sistemit të drejtësisë, matjen e performancës dhe rritjen e transparencës institucionale, duke e bërë llogaridhënien pjesë të çdo politike dhe çdo reforme.

Një drejtësi në shërbim të qytetarit

Në qendër të çdo reforme qëndron qytetari. Objektivi ynë është një sistem drejtësie që garanton siguri juridike, trajtim të barabartë, mbrojtje efektive të të drejtave dhe besim më të madh të publikut tek institucionet. Përmes reformave ligjore, bashkëpunimit institucional dhe një qasjeje të bazuar në rezultate, Ministria e Drejtësisë synon të ndërtojë një drejtësi moderne, të besueshme dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane.