Ministria e Drejtësisë

I nderuar Kryetar, shumë faleminderit,
Të nderuar deputetë,

Sot sjellim përpara këtij komisioni të nderuar një instrument ndërkombëtar, i cili besoj që ka ngritur një parim të rëndësishëm të jurisprudencës sonë, edhe në nivelin e ndërkombëtar; ka të bëjë me mbrojtjen e profesionit të avokatit. Çështja që trajtohet sot, mendoj që nuk është një çështje thjesht e profesionit të avokatit, por ka të bëjë me thelbin kur secili prej nesh gjendet përballë pushtetit të shtetit. Dhe roli që avokati luan në atë moment, pra të drejtat që avokati ushtron në atë moment, duke mbrojtur individin përballë pushtetit të shtetit, janë edhe thelbi i kësaj konvente. Dhe bëhet fjalë ekzaktësisht që të drejtat që avokati ka për të qenë realisht i lirë ta mbrojë individin përballë pushtetit të shtetit.

Komunikimi me të është konfidencial, apo jo? Nëse avokati nuk frikësohet për argumentin që ngre dhe nuk pengohet për shkak të detyrës që ka kryer. Dhe pikërisht për këto garanci po flasim sot, me instrumentin, me Konventën për Mbrojtjen e Avokatit. Konventa e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit nuk i jep avokatit imunitet nga ligji. Avokati vazhdon që të jetë nën sundimin e tij. Ajo mbron kushtet në të cilat avokati mund të kryejë detyrën e tij dhe funksionin e tij në shtetin e së drejtës. Thashë që gjykata jonë Kushtetuese, thelbin, parimin thelbësor të kësaj konvente, e ka bërë pjesë të jurisprudencës së saj që në vitin 2010, me vendimin numër 7 të saj, ku shprehet se shërbimi i avokatisë luan një rol të rëndësishëm për të garantuar shtetin e së drejtës dhe për të siguruar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut dhe, natyrisht, ky parim tashmë është ndërtuar në një nivel ndërkombëtar.

Konventa nuk ndërton një drejtësi të fortë, duke dobësuar rolet njërën palë apo tjetrën në procesin gjyqësor, ja vlen që ta themi këtë gjë. Përkundrazi, një sistem i drejtë kërkon që nga njëra anë prokurori të ketë të gjitha mjetet që të jetë i aftë për të hetuar, por nga ana tjetër të jetë gjykata e pavarur për të kontrolluar ligjshmërinë dhe mbrojtja e lirë për të kundërshtuar shtetin kur ligji dhe faktet e kërkojnë atë. Kështu që fuqia e njerës nuk matet me dobësimin e tjetrës.

Konventa parashikon një sërë garancish, siç thashë, lirinë e shprehjes së avokatit, lirinë e organizimit të tij, konfidencialitetin e komunikimit të avokat-klient, mbrojtjen nga kërcënimet dhe nga ngacmimet, procedurat disiplinore të drejta dhe proporcionale, të cilat ushtrohen nga Dhoma e Avokatisë. Dhe ndërkohë, zbatimi i kësaj konvente do të monitorohet nga GRAVO, që është grupi i ekspertëve të pavarur të Këshillit të Europës, i cili do të vlerësojë periodikisht shtetet palë në zbatimet e detyrimeve të tyre në këtë konventë.

Angazhimi natyrisht i GRAVO-s është për transparencë dhe do të pranojmë që zbatimi ynë të matet nga një instrument i Këshillit të Europës, që është jashtë, dhe jo vetëm nga dokumentet që prodhohen brenda juridiksionit tonë. Ratifikimi që ju të nderuar deputetë do të bëni në seancë plenare nuk është thjesht deklaratë se Shqipëria i ka zgjidhur këto çështje dhe këtu jemi në nivelet më të larta të ushtrimit të profesionit; është e kundërta. Është pranimi i një standardi dhe pranimi që mënyra se si e zbatojmë të vlerësohet edhe nga faktorë të jashtëm. Qeveria e propozon këtë angazhim, juve vendosni nëse Shqipëria duhet ta marrë. Për këtë kërkoj edhe mbështetjen e këtij komisioni të nderuar.

Shumë faleminderit!