Ministria e Drejtësisë

Mirëmëngjes!

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë, Profesor Sadushi,

E nderuar Znj. Re,

I nderuar Prokuror i Përgjithshëm, Z. Çela,

I nderuar Kryetar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Profesor Panda,

I nderuar Gjyqtar Patri,

I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Profesore Papa Jorgji,

Të nderuar gjyqtarë,

Të nderuar prokurorë, avokat, dhe pjesëmarrës në këtë tryezë.

Profesor Sadushi, tashmë e vendosi edhe tonin e kësaj bisede të sotme dhe kësaj tryeze.

Kuptohet, në vijim të vendimit që Kolegjet e Bashkuara kanë marrë më 4 maj në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato konventore, na kujtuan atë parimin e thjeshtë të vendosur tashmë në kod, por jo gjithmonë të lehtë të rrënjosur në praktikë, se arresti në burg ka natyrë përjashtimore.

E kur caktohet, vendimi unifikues thotë që duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i arsyetuar për rastin konkret.

Tani, si Ministër Drejtësie nuk kam, nuk do të kem, nuk pretendoj të kem asnjë rol me masën që caktohet në një çështje.

Kështu që të gjithë që po vrasin mendjen, po mirë, pse je sot këtu?

Sepse ky është një vendim që i takon Gjykatës dhe kërkesa i takon plotësisht Prokurorit.

Jam këtu për një përgjegjësi tjetër e cila unë besoj që nuk është e vogël.

Sepse kur Gjykata vlerëson se mjafton një masë më pak kufizuese, shteti duhet ta ketë atë masë gati.

Duhet ta ketë të besueshëm, dhe duhet ta ketë të zbatueshëm.

Dhe kur Gjykata cakton arrestin me burg, ai vendim do të ekzekutohet nën përgjegjësinë tonë.
Pra, jemi palë e drejtpërdrejtë në këtë bisedë, por me një këndvështrim tjetër.

Dokumenti udhëzues për paraburgimin për të cilin unë gjej rastin ta falënderoj përsëri Xhulia-n si përfaqësuese e Këshillit të Europës, sepse u hartua nga ekspertët e Këshillit të Europës me kërkesë të Qeverisë Shqiptare, na jep një bazë shumë të rëndësishme pune.

Dhe sot dua ta falënderoj Këshillin e Europës jo vetëm për këtë dokument, edhe jo vetëm për këtë tryezë, por edhe për një punë shumë intensive që kemi bërë në muajt e fundit dhe është një bashkëpunim konkret me një numër jashtëzakonisht konsiderueshëm ekspertësh të Këshillit të Europës për ta kthyer këtë standard në një reformë në muajt në vijim.

Dhe kjo punë që ne kemi nisur me Këshillin e Europës nuk mbaron me dokumentin që po diskutohet sot në marrëdhënien tonë dypalëshe, por rekomandimet e tyre do të ushqejnë drejtpërsëdrejti punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale.

Materiali udhëzues që tashmë kemi do të vendosë në tavolinë një sërë çështjesh.

Kriteret për paraburgimin, detyrimin për arsyetimin e individualizuar, shqyrtimin real të masave më pak kufizuese, aksesin në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masat e sigurimit, dhe forcimin e alternativave, përfshirë garancinë dhe mbikëqyrjen elektronike.

Këto rekomandime nuk kanë për të mbetur në raport.

Po shqyrtohen, dhe besoj që shumë shpejt ne do të kemi një dokument që do të vihet në dispozicion të të gjitha institucioneve përkatëse, por besoj edhe të të gjitha platformave të tjera konsultuese, siç është Akademia, Avokatia, e kështu me radhë.

E gjitha kjo është bërë në përputhje të plotë me standardet e Gjykatës Europiane, por dhe në zbatim të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë.

Drejtimi ynë ka qenë jashtëzakonisht i qartë: Kapaciteti i shtetit për të hetuar, për të ndjekur penalisht, duhet të mbetet i fortë.

Plotësisht dakord me ju, profesor.

Por po aq të forta duhet të jenë garancitë e procesit të rregullt dhe mbrojtja e lirisë së personit.

Njëra, nuk fitohet duke dobësuar tjetrën.

Dhe ligji, sado i mirë që të jetë, nuk mjafton.

Këtu fillon përgjegjësia jonë e dytë, Ministrisë së Drejtësisë.

Mbikëqyrja elektronike tashmë e ka bazën ligjore.

Ka dhe bazën institucionale, dhe shërbimi i provës ka një rol të përcaktuar qartë në ligj.

Por sot dua ta them hapur: Ky shërbim nuk ofrohet me funksionalitetin dhe besueshmërinë që kërkon instrumenti i tillë.

Dhe një alternativë, që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë.

Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit dhe nuk është përgjegjësi e Gjykatës.

Prandaj detyra jonë është ta rikthejmë këtë kompetencë në funksion, si një sistem modern, jo si një sistem elektronik.

Kemi negociuar dhe siguruar me Ministrinë e Financave Fondin e Nevojshëm për vitin 2027.

Projekti i zbatimit kalon në miratim në tetor, zbatuesi parashikohet që të kontraktohet brenda vitit, dhe objektivi ynë është që sistemi të hyjë në funksion në mars të vitit që vjen.

Po ndërtojmë një sistem ndërkohë me një personel të trajnuar, me protokolle të qarta reagimi dhe raportimi ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë, dhe me komunikime me sistemet e informacionit të drejtësisë, pra me JURONIX-in dhe me CAMS-in.
Kuptohet, sipas ligjit, dhe me garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Paralelisht, po ndërtojmë Sistemin Elektronik të Menaxhimit të rasteve në Shërbimin e Provës. Sepse gjyqtari absolutisht dhe prokurori, duhet të kenë një besim të plotë se masat do të zbatohen.

Alternativa nuk do të thotë fare mungesë kontrolli, do të thotë një formë tjetër kontrolli.

Dhe kur alternativat kanë për të funksionuar, Gjykata natyrisht që do të ketë një zgjidhje reale.

Atëherë dhe vlerësimi i domosdoshmërisë së arrestit në burg, besoj që do të bëhet edhe më konkret.

Kjo mund të ndihmojë financat publike, dhe ngarkesën e institucioneve penitenciare.

Por ky nuk është argumenti ynë kryesor.

Argumenti kryesor është ai që është i vendosur në Konventë, dhe në thelb të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë: Liria dhe prezumimi i pafajësisë.

Dhe për këtë punë, besoj që kemi afatet konkrete.
Nuk dua që t’i paraqes këto vetëm si qëllime programatike, janë tashmë plane pune për Ministrinë e Drejtësisë.

Gjykata e Lartë e ka bërë punën e vet, e ka qartësuar standardin, jam dakord me profesorin që duhet që ta rrënjosë në vijueshmërinë e vendimeve të mëtejshme, ndërkohë që ne po punojmë që Kuadri Ligjor ta mbështesë tërësisht atë gjë.

Dhe gjithashtu, po ndërtojmë që dhe mbikëqyrja elektronike dhe forcimi i Shërbimit të Provës, si një shërbim penitenciar, të jenë alternativa reale dhe të besueshme.

Pra, ligji më i qartë, alternativat reale, institucioni që funksionon, kjo është pjesa që na takon neve në këtë bisedë dhe në këtë punë.

Shumë faleminderit për ftesën,

Shumë faleminderit për vëmendjen,

Punë të mbarë tryezës, edhe mirëpritje të bashkëpunimit të përditshëm!