Ministria e Drejtësisë

I nderuar Kryetar,

Të nderuar kolegë deputetë,

Të nderuar qytetarë që na ndiqni,

Sot Kuvendi i Shqipërisë ka 2 detyra, nuk ka 1, ka 2 detyra.

Nga njëra anë duhet të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, gjyqësorit, dhe nga ana tjetër duhet të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë të cilët paguajnë për atë drejtësi.

Kush zgjedh vetëm njërën, qorrollepset drejt pazgjidhshmërisë së kësaj çështjeje e cila është e thjeshtë, por jo me sa duket aq e lehtë për t’u kujtuar.

Tani, afatin e 31 korrikut e kemi thënë në komision që ka kaluar, prandaj kjo shumicë ka ardhur sot të mbushë atë boshllëk që ka krijuar kalimi i atij afati.

Nuk ka ardhur ta komentojë, nuk ka ardhur ta anatemojë, nuk ka ardhur ta mallkojë, ka ardhur ta mbushë atë boshllëk. Dhe sot ka një ligj përpara këtij Kuvendi, të paraprirë dhe të udhëhequr nga një pyetje, nga pyetja e duhur: Kush vendos për pagat e gjyqtarëve?

Dhe nuk e ka shpikur pyetjen, e ka marrë mot a mot nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili zbërthen parimin kushtetues, dhe që shkruan: Detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, jo i qeverisë, jo i këshillave, jo i Ministrit të Drejtësisë, detyrimi i këtij Kuvendi.

Dhe këtu ka ardhur kjo shumicë, në këtë sallë, dhe nuk është vetëm dispozitivi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese; është edhe arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kriteri i parë i ligjvënësit thotë duhet të jetë ky: Rregullat themelore të përcaktohen me ligj, jo me vendime diskrecionale, subjektive, të ndryshueshme nga ndonjëri prej pushteteve të tjera.

Me ligj e shkruan Gjykata Kushtetuese, e zezë mbi të bardhë.

Dhe ky rregull, që kjo shumicë ka respektuar që nga fillimi i procesit dhe deri tani, mbron vetëm një funksion: Gjyqtarin.

Nuk mbron Kuvendin, mbron gjyqtarin sepse ajo që sot mund t’ia ketë dhënë një organ me një akt jo ligjor, jashtë kompetencave dhe jashtë diskrecionit, mund t’ia marrë përsëri një organ tjetër me një vendim jashtëligjor.

Dhe vetëm ligji është ai i cili e mbron gjyqtarin.

Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë.

Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë.

Paga e doktorit kalon vetëm nga një derë.

Paga e infermierit kalon vetëm nga një derë.

Paga e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë, dhe ajo derë është ligji.

Ky është parimi që ka ndjekur kjo shumicë sot, me atë projekt që ka ardhur.

Dhe rregulli bazë që ka ndërtuar gjithë arkitekturën e pagave në këtë Republikë, dhe që është ndjekur edhe kësaj radhe, është: Askush nuk duhet të ketë diskrecionin t’ia caktojë vetes pagën e vet.

Sepse kur dikush i cakton vetes pagën e vet, nuk është më një rregull i përgjithshëm, por është një përjashtim. Është rregull përjashtimor.

Kur ty ta jep Kushtetuta, dhe sot paga e funksionarit nuk qëndron e vetme diku atje në piramidën e pagës shtetërore, qëndron brenda një sistemi ku çdo hallkë është e lidhur me njëra-tjetrën, dhe ku një lëvizje lëviz të gjitha pagat në arkitekturën shtetërore.

Prandaj buxheti i shtetit nuk është ai dollapi me shumë sirtarë, ku secili pushtet, apo secili institucion, ka sirtarin e vet.

Ka vetëm një arkë dhe ajo arkë është e qytetarit shqiptar.

Nuk është arka as e ministrave, apo e qeverisë, apo e gjyqtarëve, apo e doktorëve.

Është arka e qytetarit shqiptar që e ruan ky Kuvend, dhe e ruani ju, të nderuar kolegë.

Kështu që zgjidhja e drejtpeshuar që ka sjellë kjo shumicë nuk është as më bujarja, as më e lira.

Është ajo që mban njëkohësisht në këmbë dhe garancinë kushtetuese, por dhe raportet ruhen brenda sistemit të Republikës së Shqipërisë, sepse shteti nuk mund të ndreqi një hallkë duke e shkëputur nga gjithë zinxhiri.

Dhe në këtë mënyrë e bëri një herë, në 2016-ën, kur vendosi të paguante magjistratët e Republikës së Shqipërisë, të mandatuar nga ky Kuvend, dhe tha: “Ju do të paguheni më shumë”.

Ndërkohë, duhet që e gjithë arkitektura të futet nën një çati.

Arsyet e zgjedhjeve me zë u thanë këtu, sepse ato do të mbahen mend.

Pra, dhe referenca, dhe koeficienti i Gjykatës Kushtetuese nuk caktoi shifër, por i tha Kuvendit: “Është e drejta jote”.

Ligjvënësi ka diskrecionin t’i referohet formulës aktuale, ose çdo formule tjetër, dhe se kjo i përket kompetencave të Kuvendit, thotë Gjykata Kushtetuese.

Dhe Kuvendi sot ka zgjedhur një referencë të qëndrueshme, ka zgjedhur një koeficient që e ka rritur, paga rritet nga ajo aktualja, dhe ka ruajtur indeksimin, mekanizmin që vetë Gjykata e quan kriter për ruajtjen e vlerës.

Por Ministri i Financave, jam i sigurt që do të flasë më shumë për numrat.

Në lidhje me datën, doja të thosha që 1 gushti, që efekti prapaveprues i këtij Kuvendi e rregullon, patjetër, rregullon edhe një gjë tjetër.

Vërtet gushti është një muaj pushime gjyqësore, nuk ka seanca në gusht.

Patjetër janë ato seancat e masave të sigurisë, dhe që janë të drejtat e njeriut, dhe janë gjyqtarë dhe sekretarë që kanë dalë në punë, dhe administrata, dhe prandaj ky ligj e rregullon atë gjë, sepse administrata nuk duhet të ishte përfshirë në këtë gjë.

Administrata duhet të kishte marrë rrogën e vet, se s’kishte punë fare me këtë gjë, dhe ky ligj e rregullon, ia jep një më një, duke filluar nga 1 gushti.

Tani, dua të ndaloj, meqenëse koha po ikën, në një gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse dëgjuam këtu anti-kushtetuese dhe kjo duhet të marrë fund, sepse gjyqtarët, deputetët e Shqipërisë, nuk mund të bëhen gjyqtarë kushtetues.

Kushtetueshmërinë e cakton Gjykata Kushtetuese, dhe deputetët bëjnë ligjin.

As anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk mund të bëhen deputetë që të caktojnë ligjin.

Pra, ne duhet urgjentisht të kthehemi në detyrat tona.

Por për sa i përket qëndrimeve, të flasim pak për këtë.

Reforma në drejtësi u votua në këtë sallë.

Nga ajo ditë, kjo shumicë mund të ketë bërë gabime, dhe i ka paguar ato gabime një nga një.

Ama, një gjë s’e ka bërë kurrë.

Kurrë!

Kurrë nuk ka kërkuar të shëmbi atë që ndërtoi për qytetarin shqiptar.

Kurse nga ana tjetër e sallës, ne kemi dëgjuar gjithçka.

Kemi dëgjuar në këtë podium që “Drejtësia e re është e kapur”, ndërkohë që menjëherë kemi dëgjuar “Drejtësia e re duhet mbrojtur”.

Kemi dëgjuar “Vendimet e saj janë të porositura nga partia”, “Vendimet e saj duhet të zbatohen menjëherë”.

Ndonjëherë brenda vitit.

Kësaj radhe i dëgjuam edhe brenda një muaji dy qëndrime të ndryshme.

Tjetër gjë dëgjuam në gusht, ku menjëherë i bëhej thirrje Kuvendit të miratonte ligj dhe menjëherë të ruante kompetencat e veta që ishin gllabëruar nga Këshilli i Lartë, dhe sot po dëgjojmë një tjetër gjë që “Jo, nuk do ta votojmë këtë ligj, sepse Kuvendi nuk duhet ta bëjë këtë ligj”.

Kështu që, tani, në shqip, kësaj i thonë “Sjellje me hënë”.

Kjo është shprehja shqip: të sillesh me hënë.

Dhe është shumë e saktë, sepse hëna ka dy vetitë: Ngaqë lëviz dhe ndërron fytyrën çdo natë, ngaqë e huazon dritën nga dielli, nuk e ka të vetën dritën.

Unë dua të them këtë gjë: Ndryshon qëndrimi i opozitës tonë, sepse kurrë nuk i përgjigjet një argumenti.

Gjithmonë i përgjigjet fazës së vërdallosjes.

Fazës së vërdallosjes!

Sepse ka ndërruar kryetarë, sepse ka ndërruar aleanca, sepse ka ndërruar qëndrime.

Por një gjë nuk e ka ndërruar kurrë: Pyetjen “çfarë më leverdis mua sot?”. Jo pyetjen “Çfarë është e drejtë për sistemin e drejtësisë?”. “Çfarë më leverdis mua sot?”.

Dhe orientimi me hënë ka vetëm një problem: Që ngaqë vërdalloset në faza hënore, mbërrin atje ku e ka nisur.

Por në fakt, opozita e ka mbërritur në një vend ku është edhe më keq.

Tani, unë nuk ju kërkoj që të votoni atë që bën shumica, se nuk e keni as guximin moral, as politik.

Vetëm votoni një gjë që kur nesër, pas një viti, të ndërroni kryetarin, t’i qëndroni asaj gjëje që keni votuar sot.

Vetëm këtë gjë.

Që do të thotë: Sillni një alternativë me një koeficient, që ta shpjegoni se sa i kushton ajo qytetarit shqiptar, se çfarë duhet të heqim mënjanë, ose nga shërbimet mjekësore, ose nga shërbimet arsimore, ose nga shërbimet e emergjencave.

Vetëm silleni!

Ama, silleni, arsyetojeni.

Arsyetojeni!

Dhe në këtë mënyrë do t’i shpjegoni qytetarit shqiptar se nga do t’i hiqen 14 milionë, që është efekti i prapambetur, dhe 4 milionë çdo vit nga efekti i rritjes që bëhet sot, që miratohet sot për gjyqësorin.

Ndaj, në fund fare, dua të them një gjë: “Kjo për ne nuk është fundi i një gjëje.”

Përkundrazi, është fillimi i një gjëje të re.

Ne kemi nevojë për një sistem të ri pagash, në sistemin e drejtësisë, dhe ju ftojmë të gjithë që, me standardet europiane, me krahasimin europian, me të gjithë juve që keni mendime për to, por sot vetëm do votoni kundër dhe nuk keni sjellë asnjë alternativë, jeni të mirëpritur që të kontribuojmë së bashku në një sistem të qëndrueshëm, i cili ruan atë që thashë, dhe përgjegjshmërinë financiare ndaj buxhetit të shtetit, por mbron tërësisht dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Faleminderit!