Ministria e Drejtësisë

Të nderuar Shkëlqesi,

Të dashur kolegë,

Korrupsioni rrallëherë është një akt i izoluar. Ai është një model biznesi. Ai blen një vendimmarrje, transferon të ardhurat e përfituara përtej kufijve dhe mbështetet në faktin se provat do të lëvizin më ngadalë sesa paratë.

Këtë javë, Komisioni Evropian konstatoi progres të mirë në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit. Ai vlerësoi se SPAK-u, Struktura jonë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vijon të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Kjo ka rëndësi. Por progresi nuk nënkupton përfundimin e punës.

Korrupsioni mbetet një sfidë reale. Parandalimi duhet të funksionojë më mirë. Hetimet financiare duhet të nisin më herët. Dhe sekuestrimi i pasurive me origjinë kriminale duhet të çojë, aty ku e lejojnë ligji dhe provat, në konfiskimin e tyre përfundimtar.

Këto gjetje vendosin gjithashtu një përgjegjësi mbi pushtetin ekzekutiv. Detyra jonë nuk është të drejtojmë prokurorët, por të forcojmë kushtet në të cilat veprojnë institucionet e pavarura: kuadrin ligjor, burimet dhe kapacitetet e administratës për të identifikuar dhe raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit pranë autoriteteve kompetente.

Parandalimi vjen i pari. Në kuadër të Strategjisë sonë Kundër Korrupsionit 2024–2030, po trajtojmë rreziqet në prokurimet publike, kujdesin shëndetësor dhe sistemin tatimor. Kemi çuar përpara reformat lidhur me sinjalizuesit, konfliktin e interesit, lobimin dhe financimin politik. Rasti më i mirë i korrupsionit është ai që nuk ka nevojë të ndiqet kurrë penalisht.

Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria e mirëpret Direktivën (BE) 2026/1021. Si vend kandidat, ne do të përafrojmë si legjislacionin tonë penal, ashtu edhe kuadrin më të gjerë kundër korrupsionit, me standardet e saj. Por një ligj e ndryshon sjelljen vetëm kur zbatohet, monitorohet dhe gëzon besimin e qytetarëve.

Kjo ka rëndësi të veçantë aty ku besimi është më i brishtë: te zgjedhjet. Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore në vitin 2027. Blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve publike u cenojnë qytetarëve të vetmen gjë që nuk duhet të jetë kurrë në shitje: të drejtën e tyre për të zgjedhur. Detyra jonë është t’u sigurojmë atyre që mbrojnë integritetin zgjedhor një kuadër ligjor të fortë dhe, më pas, t’ua lëmë atyre vendimmarrjen.

Të nderuar Shkëlqesi,

Asnjë vend nuk mund të gjurmojë i vetëm paratë e paligjshme përtej kufijve. Në vitin 2025, përmes Prokurorit tonë Ndërlidhës pranë Eurojust-it, Shqipëria u përfshi në 121 çështje të reja, 70 prej të cilave të iniciuara nga autoritetet tona, si dhe në 27 skuadra të përbashkëta hetimore, të reja dhe në vijim. Ne nuk jemi vetëm përfitues të bashkëpunimit gjyqësor evropian. Ne kontribuojmë në të.

Këto sfida nuk përfundojnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Raportet e Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës zbatojnë të njëjtin standard shqyrtimi edhe për shtetet anëtare, dhe ky është një standard që duhet ta mirëpresim, jo t’i druhemi.

Prandaj, propozoj tri prioritete për rajonin tonë.

Së pari, të masim zbatimin, jo thjesht miratimin. Ministritë tona, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, mund të zhvillojnë disa tregues të krahasueshëm: sa kohë kërkon ndihma juridike e ndërsjellë dhe sa efektivisht kalohet nga ngrirja e pasurive te konfiskimi i tyre përfundimtar. Vitin e ardhshëm mund të paraqesim një vlerësim të parë të përbashkët.

Së dyti, të thellojmë bashkëpunimin operacional, duke reduktuar vonesat dhe duke garantuar respektimin e plotë të garancive procedurale.

Së treti, të investojmë te njerëzit. Gjyqtarët, prokurorët, hetuesit financiarë dhe administratorët e pasurive kanë nevojë për aftësitë dhe mjetet e duhura për të gjurmuar paratë që tashmë kanë mësuar të lëvizin përtej kufijve.

Një parim i përshkon të tria këto prioritete: pavarësia e atyre që hetojnë dhe gjykojnë.

Qeveritë mund të propozojnë ligje, të sigurojnë burime dhe të forcojnë institucionet. Ajo që nuk duhet të ushtrojmë kurrë është presioni.

Pavarësia nuk është pengesë për llogaridhënien. Ajo është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme.

Pas çdo vendimi korruptiv, dikush paguan çmimin: një pacient që pret më gjatë, një biznes që humbet mundësinë për konkurrencë të ndershme, një qytetar që kupton se rregullat vlejnë për të tjerët.

Korrupsioni lulëzon kur përfitimet janë të larta, rreziqet janë të ulëta dhe kufijtë ofrojnë mbrojtje. Detyra jonë është ta përmbysim këtë ekuacion.

Në fund, suksesi ynë nuk do të matet me ligjet që miratojmë, por me faktin nëse qytetarët kanë besim se pushteti publik i shërben interesit publik. Ky është standardi mbi bazën e të cilit Shqipëria kërkon të vlerësohet.

Faleminderit!