Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë, në bazë të ligjit nr. 82/2021 dt. 24.06.2021 “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, në bazë të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 192 datë 04/05/2022 “Për përcaktimin e rregullave më të hollësishme për kriteret, procedurat e përzgjedhjes së përfaqësuesve dhe funksionimin e komisioneve të posaçme, tarifat për pjesëmarrje, organizimin dhe zhvillimin e provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave, si dhe procedurën e mënyrën e vlerësimit të provimeve” i ndryshuar, shpall thirrjen për shprehje interesi për kandidatët për anëtarë të komisioneve të posaçme për provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave.
Në zbatim të nenit 6 të urdhrit të lartpërmendur, “Thirrja për paraqitjen e shprehjeve të interesit për anëtarë të komisioneve të posaçme për provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për anëtar të komisionit të posaçëm për provimin e kualifikimit për interpret të gjuhës së shenjave publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Drejtësisë 90 ditë përpara datës së provimit të kualifikimit të përcaktuar në urdhrin e ministrit të Drejtësisë”.
Afati i aplikimit fillon në datën 01.09.2026
1) Aplikanti që shpreh interesin për të qenë kandidat për anëtar në komisionet e posaçme të provimit për përkthyes zyrtar, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
Kriteret e përgjithshme
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të diplomës, ose të zotërojë një diplomë të të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njësuar pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin;
c)të mos jetë i dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale;
ç) të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës, funksionit publik ose nga puna në pozicione të tjera pranë personave juridikë privatë për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur kjo masë disiplinore është shuar dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi në çastin e paraqitjes së shprehjes së interesit;
d) të mos jetë kandidat për përkthyes zyrtar të gjuhës për të cilën njëkohësisht kandidon për të qenë anëtar i komisionit të posaçëm ose kandidat për interpret të gjuhës së shenjave shqipe.
Kriteret e posaçme:
a) për përfaqësuesit nga Ministria e Drejtësisë dhe ministria përgjegjëse për arsimin:
i. të ketë statusin e nëpunësit civil;
ii.të ketë jo më pak se 3 vjet përvojë pune si jurist;
b) për përfaqësuesin nga institucionet publike të arsimit të lartë, që ofrojnë programe studimi në gjuhë të huaja:
i. të jetë pjesë e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë, i angazhuar me kohë të plotë, i kategorisë lektor ose profesor;
ii. të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë profesionale në mësimdhënie në gjuhën përkatëse ose të ngjashme me të, apo që lidhet me fushën e përkthimit.
c) Përfaqësuesi në komisionet e posaçëm për provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar për gjuhët për të cilat institucionet e arsimit të lartë nuk ofrojnë programe studimi, duhet të plotësojë kriteret e veçanta të mëposhtme:
i. përfaqësuesi nga misionet diplomatike ose postet konsullore duhet të jetë i punësuar pranë misionit diplomatik ose postit konsullor për një periudhë prej jo më pak se 3 vitesh dhe të jetë njohës i gjuhës përkatëse;
ii. përfaqësuesi nga organizatat ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë, duhet të jetë i punësuar pranë organizatës ndërkombëtare, që ushtron veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë, për një periudhë prej jo më pak se 3 vitesh dhe të jetë njohës i gjuhës përkatëse;
iii. përfaqësuesi nga autoritetet e tjera të huaja, duhet të jetë i punësuar pranë autoritetit të huaj, duhet të jetë i punësuar për një periudhë prej jo më pak se 3 vitesh dhe të jetë njohës i gjuhës përkatëse;
iv. përfaqësuesi nga përkthyesit zyrtarë të certifikuar duhet të jetë i certifikuar për gjuhën përkatëse.
Aplikanti qe shpreh interesin për për të qenë kandidat për anëtar në komisionin e posaçëm të provimit për interpret të gjuhës së shenjave shqipe, duhet të plotësojë kriteret veçanta të mëposhtme:
a) për përfaqësuesit nga Ministria e Drejtësisë dhe nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale:
i. të ketë statusin e nëpunësit civil;
ii.të ketë jo më pak se 3 vjet përvojë pune si jurist;
b) për përfaqësuesin nga radhët e interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe:
i. të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë profesionale në interpretimin e gjuhës së shenjave shqipe, ose;
ii. të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë profesionale si trajnues i certifikuar i programit të interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe.
Përfaqësuesit nga radhët e ministrive nuk mund të jenë anëtarë të më shumë se 2 (dy) komisioneve të posaçme.
Paraqitja e dokumentacionit
Kandidati për anëtar të komisionit të posaçëm paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues brenda 30 ditëve nga data e publikimit të thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit.
Afati i fundit i paraqitjes së dokumentacionit të aplikimit është data 30.09.2026
Shprehja e interesit nga kandidati përmban këto të dhëna:
a) emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen, vendlindjen, numrin personal të identifikimit;
b)adresën e vendbanimit dhe adresën elektronike, si dhe numrin telefonik të kontaktit të kandidatit;
c) përcaktimin se për cilat komisione të posaçme kandidon për të qenë anëtar.
Kandidati për anëtar të komisionit të posaçëm, për të provuar përmbushjen e kritereve të përgjithshme, paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë me postë dokumentacionin shoqërues si vijon:
a) kopje të mjetit të identifikimit;
b) jetëshkrimin;
c) kopje të njehsuar me origjinalin të diplomës së ciklit të dytë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të
diplomës, ose diplomën e të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njehsuar pranë ministrisë përgjegjës për arsimin;
ç) vërtetim nga institucionet dhe personat juridikë privatë ku ka ushtruar detyrën ose funksionin publik apo me të cilat ka lidhur marrëdhënien e punës se ndaj tij nuk është dhënë masa disiplinore e shkarkimit për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, ose nëse është dhënë kjo masë, vërtetim që kjo masë disiplinore është shuar, sipas legjislacionit në fuqi;
d)kopje të njehsuar me origjinalin të librezës së punës;
dh) vërtetim nga institucioni ku punon kandidati;
e) deklarimin mbi dhënien e pëlqimit mbi kryerjen e njoftimeve me mjete të komunikimit elektronik, sipas shtojcës nr. 1, bashkëlidhur këtij urdhri dhe pjesë përbërëse të tij, të plotësuar dhe të nënshkruar, në rast se përzgjedh kryerjen e njoftimeve të përcaktuara në këtë urdhër me mjete të komunikimit elektronik.
f) formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore të plotësuar dhe të nënshkruar (shkarkohet online dhe plotësohet)
Kandidati për anëtar të komisionit të posaçëm, për të provuar përmbushjen e kritereve të posaçme, paraqet me postë dokumentacionin shoqërues si më poshtë:
a) përfaqësuesi nga ministra e Drejtësisë, ministria përgjegjëse për arsimin dhe ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale paraqesin vërtetime nga ministria përkatëse mbi zotërimin e statusit të nëpunësit civil;
b) përfaqësuesi nga institucionet publike të arsimit të lartë, që ofrojnë programe studimi në gjuhë të huaja paraqesin vërtetim nga institucioni i arsimit të lartë që vërtetojnë se kandidati është pjesë e personelit akademik të tij, i angazhuar me kohë të plotë, i kategorisë lektor ose profesor, me përvojë profesionale në mësimdhënie jo më pak se 5 vjet, në gjuhën përkatëse ose të ngjashme me të, ose që lidhet me fushën e përkthimit;
c) përfaqësuesit nga misionet diplomatike, postet konsullore, organizatat ndërkombëtare, qëushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë dhe autoriteteve të tjera të huaja, paraqesin vërtetim nga subjekti ku janë punësuar, nëse nuk disponojnë librezën e punës, për vërtetimin e përvojës së punës, si dhe çdo dokument që vërteton njohjen e gjuhës përkatëse
d)përfaqësuesit e komisioneve nga radhët e interpretëve të gjuhës së shenjave paraqesin:
i. vërtetime dhe çdo dokumentacion tjetër që provon se kandidati ka jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë profesionale në interpretimin e gjuhës së shenjave shqipe, ose;
ii. vërtetime dhe çdo dokumentacion tjetër që provon se kandidati ka jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë profesionale si trajnues i certifikuar i programit të interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe, shoqëruar me dokumentacionin që provon certifikimin e tij.
Lista paraprake me numrin unik të identifikimit të kandidatëve të kualifikuar për të qenë anëtarë të komisioneve të posaçme dhe të kandidatëve të shkualifikuar publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Kandidatët e shkualifikuar njoftohen me shkrim ose elektronikisht, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
Lista përfundimtare me numrin unik të identifikimit të kandidatëve të zgjedhur si anëtarë të komisioneve të posaçme, si dhe të kandidatëve të zgjedhur si anëtarë zëvendësues publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Dokumentet bashkëlidhur thirrjes të shkarkohen, të plotësohen dhe dorëzohen si pjesë e dokumentacionit :

o Formulari i vetdeklarimit i gjendjes gjyqesore (te plotesohet dhe nenshkruhet)
o Vetëdeklarim mbi marrjen e njoftimeve me mjete elektronike