Ministria e Drejtësisë

Lundroni në këtë Seksion

Prof. Asoc. Dr. Nadia Peto është Zëvendësministre e Drejtësisë dhe Negociatore Përgjegjëse për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” nga Nëntor 2026.

Ajo ka mbi 16 vjet përvojë profesionale dhe akademike në fushën e së drejtës, reformës në drejtësi, integrimit evropian, të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë dhe forcimit të institucioneve të shtetit të së drejtës. Ekspertiza e saj përfshin hartimin dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian, analizën e kuadrit ligjor dhe institucional, planifikimin strategjik, vlerësimin e kapaciteteve administrative, si dhe monitorimin e zbatimit të reformave dhe politikave publike.

Gjatë periudhës 2010-2026 Zj.Peto ka ushtruar veprimtari mësimdhënëse dhe kërkimore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universitetit të Tiranës në cilësinë e lektores së disiplinave “Të drejtat Ndërkombëtare të Njeriut”, “Metodat e Kërkimit Shkencor” dhe “E drejta Zgjedhore”. Nga viti 2022, Zj.Peto mban titullin akademik “Profesor i Asociuar” dhe nga viti 2019 është trajnere e certifikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe trajnere e certifikuar nga Këshilli i Evropës, për trajnimin e profesionistëve të sistemit të drejtësisë në kuadër të programit HELP (Human Rights Education for Legal Professionals).

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Zj.Peto ka ofruar ekspertizë dhe mbështetje teknike për institucionet shqiptare në përgatitjen për negociatat e anëtarësimit, veçanërisht për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Kontributi i saj është përqendruar në vlerësimin e përputhshmërisë së legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së, identifikimin e nevojave për përafrim ligjor, vlerësimin e kapaciteteve institucionale dhe përgatitjen e dokumenteve strategjike e të planifikimit për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit.

Në periudhën Shtator 2025- Nëntor 2026, Zj.Peto ka ushtruar funksionin e këshilltares së jashtme të Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit për çështje të hartimit të legjislacionit dhe analizës juridike në procesin e integrimit evropian.

Në fushën e reformës në drejtësi, Zj.Peto ka kontribuuar në hartimin dhe rishikimin e kuadrit ligjor dhe strategjik, përfshirë Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë, si dhe në analizën e politikave që lidhen me funksionimin dhe eficiencën e sistemit gjyqësor, aksesin në drejtësi, ndihmën juridike falas dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Ka qenë pjesë e grupeve të ekspertëve të angazhuar në procesin e reformës në drejtësi, përfshirë fushën e edukimit ligjor të publikut. Gjithashtu, ka ofruar ekspertizë për Kuvendin e Shqipërisë në analizimin e problematikave të sistemit gjyqësor dhe masave për përmirësimin e eficiencës dhe reduktimin e çështjeve të prapambetura.

Përvoja e saj profesionale përfshin bashkëpunimin me institucione kombëtare dhe organizata ndërkombëtare, ndër të cilat Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, UNDP, UN Ëomen, UNICEF, OECD/SIGMA dhe GIZ, në projekte që lidhen me shtetin e së drejtës, reformën në administratën publike, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Gjatë peridhës 2024-2025, Zj.Peto ka kontribuuar gjithashtu si eksperte e nivelit të lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformat për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian.