Znj. Ina Çoça mban pozicionin e Këshilltares në Kabinetin e Ministrit të Drejtësisë. Ajo është juriste me përvojë të gjerë në fushën e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe reformës në drejtësi, me mbi 10 vite eksperiencë profesionale në organizata ndërkombëtare dhe institucione publike.
Prej vitit 2017 e në vijim, Znj. Çoça ka shërbyer pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në Departamentin e Shtetit të së Drejtës dhe të të Drejtave të Njeriut, ku është angazhuar në hartimin e analizave ligjore dhe koordinimin e projekteve që lidhen me shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, reformën në drejtësi dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve publike.
Më herët ka punuar si juriste pranë Qendrës për Shërbime dhe Praktika Ligjore të Integruara (QSHPLI), ku ka kontribuar në ngritjen e rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e drejtësisë, si dhe si eksperte ligjore në projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).
Znj. Çoça është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe zotëron titullin “Master i Shkencave në të Drejtën Publike”. Ajo ka përfunduar studimet “Master of Laws (LL.M.)” në University of Georgia, SHBA, përmes programit Fulbright. Po ashtu, ka ndjekur trajnime ndërkombëtare pranë Institutit Universitar Evropian (EUI) në Firence dhe ka qenë pjesë e Programit të Mentorimit për Gratë në OSBE, në Vjenë.
Mban titullin “Avokate” që prej vitit 2016, si dhe zotëron rrjedhshëm gjuhët angleze dhe italiane.



