Në kuadër të Javës Ndërgjegjësuese në Mbrojtje të Viktimave të Krimit, Ministria e Drejtësisë së bashku me Terre des Hommes, i dhanë një dimension të ri drejtësisë për të miturit, duke prezantuar një version miqësor dhe të ilustruar të Kodit Penal për të Mitur, i hartuar nga vetë fëmijët dhe të rinjtë! Një udhërrëfyes i qartë dhe i thjeshtë për ta, që i ndihmon ata të kuptojnë më mirë të drejtat dhe përgjegjësitë që kanë.
Kjo nismë synon të forcojë edukimin ligjor të brezave të rinj, duke i pajisur ata njohuri, orientuar drejt sigurisë dhe përgjegjësisë në shoqëri.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u angazhua në një bashkëbisedim të hapur me të rinjtë që realizuan këtë projekt, duke theksuar se edukimi ligjor i fëmijëve është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. “Si prind dhe Ministër i Drejtësisë, ishte një moment i veçantë të shihja fëmijët të angazhohen aktivisht në këtë proces të rëndësishëm,” u shpreh ai.
Ky botim u realizua falë mbështetjes së Ambasadores së Austrisë, Monica Zach, Terre des Hommes dhe të gjithë partnerëve të përfshirë në këtë nismë. Në përfundim, Ministri Manja shprehu mirënjohje të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin e tyre i dhanë një identitet të veçantë këtij projekti.
Ministria e Drejtësisë vijon angazhimin e saj për të mbrojtur dhe fuqizuar të miturit, duke krijuar një ambient më të sigurt dhe të informuar për ta.







© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.