Ministria e Drejtësisë udhëhoqi delegacionin shqiptar në “Kongresin Botëror të Ligjit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e së drejtës, që u mbajt në Santo Domingo. Me një përfaqësim prej 75 pjesëmarrësish nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare, Shqipëria tregoi qartë rolin e saj aktiv dhe të respektuar në arenën globale juridike.
Gjatë punimeve të kongresit, që përfshiu 22 panele tematike, Shqipëria ndau përvojën e saj në reformën në drejtësi, modelin gjithëpërfshirës të ndërtuar ndër vite dhe vizionin për një shtet ligjor modern, efikas dhe të drejtë. Përmes këtij angazhimi, u dha një shembull i qartë se vendi ynë është tashmë një aktor serioz në konsolidimin e drejtësisë ndërkombëtare.
Kjo pjesëmarrje masive dhe cilësore vjen si pararendëse e një tjetër momenti historik për Shqipërinë: në vitin 2027, Tirana do të presë “World Law Congress Albania 2027”, duke u kthyer në kryeqytetin botëror të së drejtës. Një event i jashtëzakonshëm që pritet të mbledhë mbi 3 mijë juristë, përfaqësues të gjykatave kushtetuese, gjykatave të larta, institucioneve të drejtësisë dhe ekspertë ligjorë nga e gjithë bota.
Ky është një sukses i drejtësisë shqiptare, që reflekton reformën e thellë dhe partneritetet ndërkombëtare që Shqipëria ka ndërtuar me përgjegjësi dhe vizion.












© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.