Manja: Integriteti i magjistratit është themeli i besimit të qytetarëve tek drejtësia - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 01/07/2025

Manja: Integriteti i magjistratit është themeli i besimit të qytetarëve tek drejtësia

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori pjesë në Konferencën Kombëtare me temë “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit”, ku ndau qëndrimet e tij mbi një prej shtyllave më të rëndësishme për forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Ministri theksoi se integriteti i magjistratit nuk duhet parë thjesht si një koncept ligjor apo kushtetues, por si bazë e besimit të publikut tek drejtësia. Ai përfaqëson paanshmëri, ndershmëri, përgjegjësi dhe pavarësi, por gjithashtu nënkupton sjellje etike, komunikim të ndershëm me qytetarët, përkushtim në ushtrimin e funksioneve dhe efikasitet në gjykime.

“Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut ishin hapa të domosdoshëm për të pastruar sistemin nga elementët që cenonin besueshmërinë. Por ato nuk janë zgjidhje të përhershme. Integriteti i vërtetë ndërtohet dhe mbrohet çdo ditë nga vetë sistemi dhe nga vetë magjistratët, përmes standardeve profesionale dhe etikës në ushtrimin e funksionit të tyre”, tha Ministri i Drejtësisë.

Ai vlerësoi rolin vendimtar të institucioneve kushtetuese si:

– Këshilli i Lartë Gjyqësor

– Këshilli i Lartë Prokurorisë

– Inspektori i Lartë i Drejtësisë

– Shkolla e Magjistraturës

Duke bashkëpunuar ngushtë me gjyqtarët dhe prokurorët, këto struktura kanë misionin të garantojnë integritetin dhe pavarësinë e drejtësisë në mënyrë të qëndrueshme dhe të pandërprerë. Vetëm nëse të gjithë aktorët e përfshirë zbatojnë me përpikëri parimet e ndershmërisë, llogaridhënies dhe paanësisë, qytetarët do të ndihen të mbrojtur dhe të barabartë përpara ligjit.

Në mbyllje të konferencës, Ministri i Drejtësisë përshëndeti magjistratët e rinj që u diplomuan, duke i inkurajuar të ruajnë gjithmonë integritetin profesional dhe të mbeten të përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe qytetarit.