Ministri Lamallari takohet me përfaqësuesen e Komisionit Evropian dhe ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/09/2025

Ministri Lamallari takohet me përfaqësuesen e Komisionit Evropian dhe ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë

Ministri i Drejtësisë, z.Besfort Lamallari priti në një takim znj.Sigrid Brettel përfaqësuesen e Komisionit Evropian, e cila mbulon Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit dhe Europën Lindore (ENEST). Në takim ishte gjithashtu edhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, z.Silvio Gonzato.

 

“Përparojmë me hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian, si pjesë e zotimit të qeverisë Shqipëria 2030”, thotë ministri Lamallari në deklaratën pas takimit.

 

“Diskutuam mbi përparimin e deritanishëm, fokusin tek përmbushja e plotë dhe në kohë e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Kapitullit 23 ‘Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore’, piketat e ndërmjetme, vijimin e bashkëpunimit dhe asistencës së BE për konsolidimin e gjyqësorit, duke synuar një ekuilibër të drejtë mes pavarësisë dhe llogaridhënies. Përafrimi i standardeve dhe legjislacionit në Kodin Penal, forcimi i kapaciteve infrastrukturore dhe teknologjike të prokurorive dhe gjykatave, përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e transpozimit të Acquis, rritjes së cilësisë në hartimin e ligjeve, si dhe Masterplani i Burgjeve duke përfshirë përmirësimin e kushteve të trajtimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve janë prioritet madhor i Ministrisë së Drejtësisë, si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029”, përfundon deklarata e Ministrit të Drejtësisë, z.Besfort Lamallari.