Shqipëria, Rumania dhe Moldavia bashkojnë përvojën e reformave gjyqësore në tryezë parlamentare - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/05/2026

Shqipëria, Rumania dhe Moldavia bashkojnë përvojën e reformave gjyqësore në tryezë parlamentare

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu mori pjesë sot në tryezën tripalëshe me përfaqësues të Komisioneve Ligjore dhe Këshillave të Lartë Gjyqësorë dhe të Prokurorisë, duke ndarë mësimet e reformës shqiptare në drejtësi dhe duke diskutuar mbi sfidat e fazës pas vettingut.

Tre vende me histori të ndryshme reformash, por me të njëjtat pyetje të mëdha mbi sundimin e ligjit dhe rolin e parlamentit – kështu mund të përmblidhet tryeza e sotme e diskutimit, ku Ministria e Drejtësisë e Shqipërise bashkendau me homologet rumunë dhe moldavë arritjet, sfidat dhe mesimet e nje dekade ndertimi institucional.

Tryeza mblodhi përfaqësues nga Komisionet Parlamentare per Çështjet Ligjore dhe nga Këshillat e Lartë Gjyqësore dhe të Prokurorisë të të tria vendeve, me fokus të veçantë në dy tema: rolin e parlamentit si motor i refomës gjyqësore dhe bashkëpunimin institucional ndërkufitar si mekanizem i qëndrueshmërisë demokratike.

Në fjalimin e tij përshëndetës, Ministri Gogu evidentoi tre dimensionet e rolit parlamentar në reformën shqiptare: hartimi dhe miratimi i paketës kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, procedurat e zgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLGJ dhe KLP, dhe mbikqyrja institucionale nëpërmjet raportimeve dhe dëgjesave parlamentare. Ai pranoi gjithashtu se raportet ndërkombëtare – përfshirë Raportin e Komisionit Europian mbi Sundimin e Ligjit të vitit 2025 – kanë dokumentuar se mbikqyrja parlamentare mbi ekzekutivin mbetet e kufizuar dhe se proceset e emërimeve kanë nevojë për forcim meritokratik.

Fjalimi u ndërtua mbi dy referenca akademike me rëndësi: argumentin e Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin Korridori i Ngushtë – se liria dhe shteti i së drejtës janë produkt i balancës dinamike ndërmjet institucioneve, jo i vullnetit të njëanshëm politik – dhe tezën morale të Lord Tom Bingham në Sundimi i Ligjit, sipas të cilit sundimi i ligjit nuk kërkon vetëm ligje formalisht të rregullta, por institucione që mbrojnë qytetarin edhe nga shteti vetë.

Procesi i vettingut, që pritet të përmbyllet brenda afatit kushtetues të qershorit 2026, u prezantua si referim konkret: nga 417 vendimet e pritshme, 56% kanë rezultuar në shkarkim dhe 44% në konfirmim – shifra qe, sipas Ministrit Gogu, nuk jane vetem statistika kuadri, por mesazh ndaj qytetarëve shqiptarë se shteti nuk toleron papërgjegjshmërinë.

Ndër investimet e prezantuara: buxheti i konsoliduar i institucioneve të drejtësisë për 2026 arrin 296 milionë euro; Gjykata e Lartë ka reduktuar dosjet e prapambetura me 60% që nga viti 2020; dhe sistemi JURONIX do të digjitalizojë mbi 13 milionë faqe vendimesh gjyqësore që nga viti 1950.

Tryeza u zhvillua ne kontekstin e hapjes nga Shqiperia të grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, përfshi grupkapitullin e themeloreve.
Bashkëpunimi me Rumaninë – vend anëtar i BE-së me përvojë të konsoliduar post-reformë – dhe me Moldavinë – e cila ndërton institucione të reja në kohë sfiduese – u vleresua si shembull i dialogut analitik brenda hapësires europiane të drejtësisë.

Tryeza do të vijojë me seancat e punës ku delegacionet do te trajtojne konkretisht: mekanizmat e mbikqyrjes parlamentare të organeve gjyqësore pa cënuar pavarësinë e tyre; mësimet e Rumanisë nga faza e pas-vettingut; dhe sfidat e Moldavisë në ndërtimin institucional nën presione politike dhe gjeopolitike.