Shqipëria drejt fazës së standardeve europiane në drejtësi, Ministri Gogu raporton progresin në KKIE në Ditën e Europës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/05/2026

Shqipëria drejt fazës së standardeve europiane në drejtësi, Ministri Gogu raporton progresin në KKIE në Ditën e Europës

Në Ditën e Europës, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu raportoi në mbledhjen e Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian progresin e Shqipërisë në Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, duke theksuar se reforma në drejtësi po hyn në fazën e konsolidimit të standardeve europiane.

Gogu deklaroi se gjatë periudhës 2025 – shkurt 2026 janë përmbushur 14 pika të ndërmjetme të negociatave, ndërsa janë adresuar 64 “critical gaps” në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe 72 institucione shqiptare.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë vuri theksin te rezultatet konkrete për qytetarët:
•⁠  ⁠ulja e stokut të çështjeve gjyqësore;
•⁠  ⁠reduktimi me 60% i backlog-ut në Gjykatën e Lartë krahasuar me vitin 2020;
•⁠  ⁠zgjerimi i ndihmës juridike falas;
•⁠  ⁠digjitalizimi i sistemit gjyqësor përmes platformës JURONIX.

Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm gjatë vitit 2025 kanë përfituar ndihmë juridike parësore 5,863 qytetarë dhe ndihmë juridike dytësore 924 qytetarë në të gjithë vendin.
“Europa nuk matet vetëm me kapituj negociatash, por me besimin që qytetari ka tek drejtësia”, u shpreh Gogu gjatë diskutimit në KKIE.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria po punon për harmonizimin e mëtejshëm të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit për të drejtat themelore me acquis të Bashkimit Europian, ndërsa procesi i vettingut po hyn në fazën përfundimtare brenda mandatit kushtetues.

Mbledhja e KKIE u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Europës dhe fokusit të Shqipërisë për avancimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.