Faleminderit që jeni këtu.
Ky takim ndryshon nga shumë takime që kemi zhvilluar më parë, jo sepse kemi më shumë projekte në tryezë, por sepse ndodhemi në një moment të ndryshëm të reformës.
Pjesa më e madhe e arkitekturës institucionale të reformës është tashmë e ndërtuar. Institucionet ekzistojnë, funksionojnë dhe javën e kaluar u shënua përmbyllja e procesit të rivlerësimit kalimtar.
Çfarë vjen tani nuk është një reformë e re.
Është momenti kur reforma gjykohet nga rezultatet e saj.
Pyetja që duhet të na udhëheqë sot nuk është: “Sa projekte kemi?”
Pyetja është:
“Ku prodhon çdo euro ndikimin më të madh në jetën e qytetarit shqiptar?”
Dhjetë vjet më parë, reforma në drejtësi perceptohej si një reformë e mbështetur kryesisht nga partnerët ndërkombëtarë.
Sot ajo është një reformë e financuar kryesisht nga shteti shqiptar dhe e mbështetur nga partnerët.
Shifrat flasin vetë.
Në vitin 2020, buxheti i sistemit të drejtësisë ishte 66 milionë euro.
Sot është 135.6 milionë euro, një rritje prej më shumë se 105 për qind në gjashtë vite.
Gjatë kësaj periudhe janë shtuar 709 vende pune në sistem.
Mbështetja e partnerëve për periudhën 2025-2027 arrin rreth 43.8 milionë euro, një kontribut i rëndësishëm dhe strategjik që plotëson investimin e shtetit shqiptar.
Modeli që besoj se duhet të bëhet standard është ai i bashkëfinancimit.
Për sistemin ICMS (Juronix + CAMS), Suedia kontribuoi me 2.5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare 9.6 milionë euro nga buxheti i shtetit. BE kontribuoi 7.5 milionë pë sistemin CAMS të prokurorisë.
Ky është partneritet. Ky është bashkëfinancim.
Dhe ky është modeli mbi të cilin duhet të ndërtojmë fazën e ardhshme.
Sot nuk jemi këtu për të kërkuar financim për të nisur diçka.
Jemi këtu për të koordinuar mënyrën se si e çojmë reformën ekzistuese drejt rezultateve më të mira.
Javën e kaluar, në Strasburg, Shqipëria nënshkroi tre instrumente të rëndësishme ndërkombëtare:
Konventën mbi Inteligjencën Artificiale dhe të Drejtat e Njeriut;
Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit;
dhe Konventën për Komisionin e Pretendimeve për Ukrainën.
Ky nuk është një formalitet diplomatik. Është një deklaratë e qartë drejtimi.
Shqipëria nuk po pret anëtarësimin për të adoptuar standardet evropiane.
Po i adopton tani.
Dhe kjo është mënyra më e mirë për t’u përgatitur për anëtarësimin: duke e bërë standardin evropian pjesë të praktikës sonë të përditshme institucionale.
Analiza jonë identifikon tre prioritete strategjike ku mbështetja e partnerëve mund të prodhojë ndikimin më të madh.
Këto prioritete përkthehen në pesë fusha konkrete veprimi, të cilave do t’u rikthehem në fund.
Prioriteti i Parë: Aksesi në Drejtësi.
Reforma ka vlerë vetëm nëse qytetari e ndjen.
Me rreth 4.5 milionë euro në projekte aktive, kjo fushë mbetet ende nën potencialin e saj.
Ndihma juridike falas nuk ka ende të njëjtën shtrirje në të gjithë territorin.
Qytetarët në zonat rurale, komunitetet rome e egjiptiane, viktimat e dhunës e grupet e tjera vulnerabël shpesh mbeten jashtë sistemit jo se ligji nuk i mbron, por sepse sistemi nuk arrin t’i shërbejë në kohë dhe pranë vendbanimit të tyre.
Modeli Barnahus ka dhënë rezultate premtuese si projekt pilot.
Sfida tani është shndërrimi i tij në një mekanizëm kombëtar.
Po kështu, ndërmjetësimi mbetet një instrument ende i nënpërdorur krahasuar me potencialin që ofron.
Prandaj, thirrja jonë është e qartë:
Më shumë shtrirje territoriale për ndihmën juridike falas;
Më shumë investim në drejtësinë për fëmijë;
dhe më shumë përdorim të ndërmjetësimit si alternativë efektive ndaj konfliktit gjyqësor.
Prioriteti i Dytë: Efikasiteti dhe Transformimi Dixhital.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Me 20.2 milionë euro në projekte aktive, kjo është fusha me mbështetjen më të madhe ekzistuese, dhe me të drejtë.
EU4Digital Justice, JUSTAL dhe investimet në ICMS kanë krijuar bazat e transformimit dixhital të sistemit.
Por sfidat mbeten reale. Backlogu gjyqësor, mungesa e statistikave të konsoliduara, vakancat dhe nevojat infrastrukturore vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e qytetarit.
Nënshkrimi i Konventës mbi Inteligjencën Artificiale na jep gjithashtu kuadrin brenda të cilit duhet të zhvillojmë çdo iniciativë të ardhshme teknologjike.
Jo thjesht më shumë teknologji.Por teknologji në përputhje me të drejtat themelore dhe standardet evropiane.
Prioriteti i Tretë: Garancitë Procedurale dhe të Drejtat Themelore.
Këtu dua të jem veçanërisht i sinqertë. Me vetëm 1.1 milionë euro në projekte aktive, kjo mbetet fusha më pak e mbështetur financiarisht nga të tre prioritetet.
Dhe pikërisht kjo është fusha që prek drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor brenda sistemit të drejtësisë.
Standardet penitenciare.
Shërbimi i Provës.
Riintegrimi pas lirimit.
Monitorimi elektronik.
Të drejtat e viktimave.
Në shumicën e rasteve, baza ligjore ekziston. Sfida është zbatimi, kapacitetet dhe mbështetja teknike.
Ky është gjithashtu prioriteti ku raporti ndërmjet investimit dhe ndikimit potencial është veçanërisht i favorshëm.
Prandaj ftoj partnerët që të shohin në këtë drejtim një mundësi me vlerë të lartë shtesë për sistemin.
Dëshiroj të paraqes tre propozime konkrete.
E para: Një raportim gjashtëmujor nga Ministria e Drejtësisë jo mbi aktivitetet dhe projektet, por mbi ndikimin që këto investime prodhojnë ndaj prioriteteve të përbashkëta.
E dyta: Krijimin e Barometrit të Drejtësisë Albania. Jo si raport vetëvlerësimi institucional. Por si një sistem i hapur matjeje, i ndërtuar mbi tregues të krahasueshëm me standardet evropiane dhe me metodologji të zhvilluar së bashku me partnerët.
E treta:
Përqendrimin e koordinimit tonë rreth pesë fushave konkrete:
Nuk po propozoj një filtër të vetëm për financimet.
Po propozoj një pyetje të përbashkët:
Çfarë ndryshimi konkret prodhon ky investim në jetën e qytetarit?
Nëse kemi të njëjtën pyetje, mund të kemi edhe koordinim real.
Shqipëria ka investuar si asnjëherë më parë në sistemin e drejtësisë.
Ka ndërtuar institucione. Ka rritur kapacitetet. Ka ndërmarrë reforma me kosto reale institucionale, profesionale dhe politike.
Sot nuk po kërkojmë mbështetje për të ndërtuar. Po kërkojmë partneritet për të prodhuar rezultate më të mira.
Dhe reforma do të gjykohet nga ajo që përjeton qytetari: kur shkon në gjykatë;
kur kërkon ndihmë juridike; kur është viktimë e një vepre penale;
ose kur, pas përfundimit të dënimit, kërkon një shans të dytë.
Ky është standardi me të cilin duhet të matim punën tonë të përbashkët.
Dhe për këtë arsye jam i gatshëm për dialog.
© Ministria e Drejtësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.