I nderuar Prokurori i Përgjithshëm,
I nderuar Drejtues i SPAK-ut,
Të nderuar drejtues prokurorish,
Të nderuar të pranishëm,
Disa muaj më parë, Shqipëria mori një dokument që nuk kishim pasur kurrë: pozicionin negociues të Bashkimit Europian pas miratimit të IBAR-it, hyrjen formale të Shqipërisë në negociatat për Klasterin 1, Fundamentals. Ai dokument përmban benchmarks mbyllëse konkrete për Kapitullin 23 dhe 24, për gjyqësinë dhe drejtësinë penale. Nuk janë dëshira politike. Janë kritere të matshme, me afate, me mekanizma verifikimi.
Kjo do të thotë se çdo rezultat i prokurorisë nga ky moment e tutje lexohet me sy tjetër, jo si statistikë vjetore, por si kontribut konkret në track record-in e brendshëm të integrimit. Jemi, me të vërtetë, në kilometrin e fundit të një rruge shumëvjeçare. Dhe ky moment kërkon saktësi, jo retorikë.
Rekomandimet Prioritare 2026 janë miratuar me VKM nr. 347, datë 13 maj 2026. Arsyeja e takimit të sotëm nuk është një formalitet. Është dialogu institucional që BE e cilëson si tregues të bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet ekzekutivit dhe organeve të pavarura të drejtësisë, bashkëpunim pa ndërhyrje, me respekt reciprok të mandateve kushtetuese. Ky është modeli. Dhe sot, jemi këtu për ta shfaqur.
Dua të ndalem për një moment te diçka që shpesh kalon pa vëmendje, por që e quaj ndryshimin më thelbësor të vitit: metodologjia e re e vlerësimit dhe ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve, e miratuar me Urdhrin nr. 20, datë 19 janar 2026.
Për herë të parë, rekomandimet nuk janë vetëm akt politik. Janë instrument vlerësimi me tregues të matshëm, me burime verifikimi, me afate të qarta. Kjo nuk është formalitet: është ndryshimi i qasjes që Bashkimi Europian e ka kërkuar vazhdimisht kur flet për ‘monitoring mechanisms’ dhe ‘verifiable progress’. Nga sot, dialogu ynë institucional nuk bazohet vetëm në besim, bazohet edhe në të dhëna.
Rekomandimet janë strukturuar në tetë fusha: sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut; lufta kundër kriminalitetit; integriteti dhe transparenca; eficienca dhe kapacitetet institucionale; metodat bashkëkohore të hetimit; bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë; bashkëpunimi ndërinstitucional; dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Nuk janë vënë artificialisht, pasqyrojnë strukturën e benchmarks-ve mbyllëse të BE-së.
Analiza e zbatimit të rekomandimeve 2025 ka shërbyer si bazë për hartimin e atyre të 2026-s. Le t’i shikojmë me sy të hapur.
Janë shifra që meritojnë respekt:
Por ekzistojnë edhe shifra që nuk mund t’i anashkalojmë. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International 2025 tregon ulje nga 42 në 39 pikë — rënie 11 vende në renditjen globale. World Justice Project e rendit Shqipërinë të 87-tën nga 140 vende, të 105-tën për mungesën e korrupsionit. Numri i procedimeve për pastrim parash nga prokuroritë e përgjithshme ra me 17.5%.
Jam i bindur se perceptimi dhe realiteti nuk lëvizin gjithmonë bashkë, veçanërisht kur reformat thelbësore kanë nevojë për kohë të shkrijnë në besim publik. Por nuk mjafton ta dimë ne. Duhet t’i bëjmë rezultatet të dukshme, të dokumentuara, të komunikuara. Rekomandimet 2026 janë pjesërisht edhe instrument i kësaj transparence.
Rekomandimet 2026 mbajnë vazhdimësinë e rekomandimeve të mëparshme, por sjellin tre shtesa me karakter strukturor.
E para: evazioni fiskal si prioritet penal.
Evazioni fiskal nuk është çështje tatimore, është çështje e rendit ekonomik dhe konkurrencës së ndershme. Kur biznesi i ligjshëm paguan tatime dhe ai i paligjshëm jo, shtrembërohet tregu. Dokumenti i BE-së e thekson: ‘informali i lartë ekonomik dhe dobësitë e zbatimit ligjor kufizojnë funksionimin efektiv të ekonomisë së tregut.’ Rekomandimet 2026 e trajtojnë evazionin fiskal si vepër penale me interes publik të drejtpërdrejtë, mbrojtje të financave të shtetit, jo vetëm ndaj kontribuespaguesve. Prokuroria thirret të rrisë hetimet proaktive dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë.
E dyta: siguria e gazetarëve.
BE ka shprehur shqetësim të drejtpërdrejtë për ‘atmosferën e sulmeve verbale e fizike, fushatave shpifëse dhe padive strategjike kundër gazetarëve’. Liria e medias nuk është çështje e gazetarëve, është çështje e shtetit të së drejtës. Direktiva Anti-SLAPP është benchmark mbyllës specifik. Rekomandimet 2026 forcojnë hetimet për dhunën dhe intimidimin ndaj gazetarëve, ngrenë kapacitetet profesionale dhe e trajtojnë sigurinë e tyre si prioritet hetimor, jo vetëm deklarativ.
E treta: krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit.
Kriminaliteti ka evoluar. Pastrimi i parave bëhet me kriptovaluta. Mashtrimi organizohet online. Infrastrukturat publike sulmohen dixhitalisht. Grupet kriminale shqiptare, sipas raportit amerikan të marsit 2025, përdorin teknika gjithnjë e më të sofistikuara komunikimi dhe pastrimi parash, duke vepëruar në shumë jurisdiksione njëkohësisht. Rekomandimet 2026 kërkojnë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë, investime teknologjike dhe trajnime të vazhdueshme. BE ka vendosur aksesin te Protokolli i Dytë shtesë të Konventës së Budapestit si detyrim konkret dhe kapacitetet hetimore janë kusht paraprak.
Pranë risive, disa prioritete janë të pandryshuar — sepse benchmarks mbyllëse të BE-së i kërkojnë vazhdimisht:
Dua të them diçka për raportin midis Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut.
Ministria e Drejtësisë nuk drejton hetime. Nuk ndërhyn në vendime procedurale. Pavarësia e prokurorisë është garanci kushtetuese dhe është gjithashtu kusht për integrimin europian. BE e ka theksuar shumë herë dhe me forcë: ‘ndërhyrjet e paligjshme nga zyrtarë publik dhe politikanë mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, janë shqetësuese.’ Kjo është adresuese e qartë, dhe Ministria e Drejtësisë është e parë në radhën e atyre që e respektojnë ndarjen e mandateve.
Ç’bën Ministria e Drejtësisë? Harton politikën penale. Vendos rekomandimet. Ofron kuadrin ligjor dhe metodologjinë. Siguron koordinimin ndërinstitucional. Dhe raporton ndaj parlamentit, ndaj BE-së, ndaj qytetarëve mbi rezultatet e sistemit. Kjo është bashkëpunim i duhur institucional, jo kufizim i pavarësisë.
Protokolli i planifikuar për mbledhjen periodike të të dhënave ndërmjet Ministrisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut do ta formalizojë këtë koordinim si normë institucionale, jo si iniciativë të rastit.
Benchmarks mbyllëse të BE-së nuk janë lista dëshirash. Janë kritere. Dhe çdo procedim i nisur kryesisht nga prokuroria, çdo konfiskim aseti kriminal, çdo gazetar i mbrojtur me efektivitet, çdo masë sigurimi e vendosur proporcionale, çdo bashkëpunim ndërkombëtar i suksesshëm, çdo njëri prej tyre është pjesë e track record-it që do të vlerësohet.
Rekomandimet 2026 janë mapa e asaj rruge. Nuk janë urdhër, janë orientim, bazuar në analizë, evidencë dhe metodologji. Prokuroria i zbaton sipas mandatit të saj kushtetues. Ministria e Drejtësisë mbështet, koordinon dhe vlerëson.
Reforma në drejtësi ka prodhuar institucione të reja, standarde të reja, prokurorë dhe gjyqtarë të vettinguar. Ka prodhuar SPAK-un, institucion që ka treguar se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë është e mundur në Shqipëri. Ky është kapital i papërsëritshëm. Detyra jonë e përbashkët është ta konsolidojmë, me rezultate, jo me deklarata; me shifra, jo me premtime.
Ju falënderoj!
© Ministria e Drejtësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.