Znj. Elona Hoxha shërben si Zëvendësministër i Drejtësisë nga tetori 2025, ku është e angazhuar në drejtimin dhe koordinimin e reformave që synojnë forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë.
Më parë ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe Projekteve në Fushën e Drejtësisë, Integrimit dhe Negociatave. Pas diplomimit në shkencat ekonomike në vitin 2005 dhe në shkencat juridike, në vitin 2010, ka punuar në disa sektorë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu, në funksion të detyrave të caktuara, është anëtare e disa grupeve ndërministrore pune, kryesisht me institucionet publike dhe me ekspertë vendas dhe të huaj që asistojnë në projekte që lidhen me shtetin e së drejtës dhe realizimin e proceseve të integrimit evropian të Shqipërisë.
Me ekspertizë në hartimin e politikave dhe planeve të veprimit, ka mbajtur rolin e koordinatores në procesin e hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025; Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030; Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Mitur 2022-2026, si dhe Strategjisë Ndërsektoriale të Mbrojtjes së Viktimave të Krimit 2024-2030. Gjithashtu, ka ndjekur procese që lidhen me analizimin e të dhënave statistikore të sistemit të drejtësisë, duke qenë pjesë e studimeve dhe raportimeve që trajtojnë drejtësinë për të miturit, edukimin ligjor, si dhe çështje të tjera të përfshira në fushën e drejtësisë.
Ka qenë pjesëmarrëse në një sërë konferencash, seminare dhe aktivitete trajnuese brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Këshillin e Europës dhe CEPEJ, Universitetin Hertie (Berlin, 2023), si dhe Akademinë Rajonale të Administratës Publike (RESPA). Prej vitit 2013 mban titullin avokat pranë Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Zotëron gjuhën angleze dhe italiane.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.