Ministri i Drejtësisë, z.Besfort Lamallari, raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikqyrjen Institucionale, mbi zbatimin nga organi i Prokurorisë i rekomandimeve prioritate të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Lamallari tha se gjatë vitit 2024 Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe të sekuestrimeve pasurore në 5 vitet e fundit.
“Hetimet e nisura kryesisht nga prokurorët janë shtuar me 12.3%. Janë sekuestruar dhe konfiskuar 65.5 milionë euro pasuri – një rritje me gati 60% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është rritja më lartë në pesë vitet e fundit. Janë çuar për gjykim 569 çështje korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, me 234 të pandehur”, tha z.Lamallari.
Sa i përket vitit 2025, Ministri i Drejtësisë tha se, rekomandimet e miratuara për këtë vit vendosin theksin tek pesë shtylla thelbësore:
* Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal – forcimi i prezumimit të pafajësisë, shmangia e ndalimeve arbitrare, respektimi i të drejtës për mbrojtje dhe përdorimi më i gjerë i masave alternative ndaj arrestit. Prokuroria duhet të garantojë proporcionalitet, transparencë dhe respektim të standardeve demokratike në çdo hetim.
* Forcimi i luftës kundër kriminalitetit – rritje e hetimeve të nisura kryesisht, thellim i hetimeve financiare e pasurore, dhe krijimi i njësive të specializuara kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe trafiqeve. Fokus i posaçëm mbetet mbrojtja e grave dhe fëmijëve, krimet mjedisore dhe shkeljet që prekin jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
* Integriteti dhe transparenca në veprimtarinë e prokurorisë – kontroll më i rreptë i integritetit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, forcim i etikës profesionale dhe funksionim i plotë i sistemit elektronik të ndarjes së çështjeve (CAMS), për të garantuar paanësi dhe besim publik.
* Rritja e eficiencës dhe kapaciteteve institucionale– krijimi i seksioneve të specializuara për hetime komplekse, trajnime të vazhdueshme për prokurorët dhe OPGJ-të, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e njohurive teknike dhe metodologjike.
* Përdorimi i metodave bashkëkohore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional – zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale në hetime, ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore me partnerët e BE-së, dhe intensifikimi i shkëmbimit të të dhënave me institucionet ligjzbatuese vendase e ndërkombëtare.


© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.