Në prani të kryeministrit Edi Rama u zhvillua ceremonia e kalimit të stafetës në krye të Ministrisë së Drejtësisë nga z.Ulsi Manja te z.Besfort Lamallari.
Ky tranzicion shënon një moment të rëndësishëm për institucionin, siç janë sfidat që lidhen me konsolidimin e Reformës në Drejtësi, forcimin e shtetit të së drejtës, hartimin e Kodit të ri Penal, Kodit Civil, modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve, si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian duke shfrytëzuar këtu edhe Inteligjencën Artificiale.
“Falënderues kryeministrit Edi Rama për besimin, vlerësimin dhe privilegjin e madh që më dha të shërbej në këtë detyrë të lartë. Mirënjohës mikut dhe kolegut tim Ulsi Manja për të gjithë punën e mirë dhe përkushtimin e treguar vijimësisht në adresimin e sfidave të kësaj ministrie. Detyra e Ministrit të Drejtësisë është për mua një mundësi e re për të çuar punët përpara e për të besuar më fort në ëndrrën tonë evropiane, për të përmbushur aspiratën tonë të kahershme dhe si të vetmen alternativë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha mes të tjerash ministri i ri i Drejtësisë, z.Besfort Lamallari.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.