NJOFTIM PËR QYTETARËT LIDHUR ME OFRIMIN FALAS TË SHËRBIMEVE PUBLIKE NË PLATFORMËN E-ALBANIA. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/07/2025

NJOFTIM PËR QYTETARËT LIDHUR ME OFRIMIN FALAS TË SHËRBIMEVE PUBLIKE NË PLATFORMËN E-ALBANIA.

Ministria e Drejtësisë informon të gjithë qytetarët se shërbimet publike që ofrohen përmes platformës shtetërore e-Albania janë falas dhe nuk duhet të shoqërohen me asnjë tarifë për aksesimin, përdorimin apo asistencën e lidhur me to. Ministria ka marrë në vëmendje disa shqetësime të ngritura nga qytetarët lidhur me raste të tarifimit të pajustifikuar nga individë apo profesionistë të lirë – përfshirë avokatë, ndërmjetës, noterë apo subjekte të tjera private, të cilët ofrojnë ndihmë për shërbime që janë në thelb publike dhe pa pagesë.

Në këtë kuadër, Ministria e Drejtësisë:

  • Fton qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e e-Albania të drejtohen pranë Njësive Administrative dhe Bashkive përkatëse në të gjithë vendin, ku ofrohet ndihmë nga punonjës të posaçëm dhe pa asnjë kosto;
  • U bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë çdo rast abuzimi me pagesa të pajustifikuara, në mënyrë që Ministria të ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore dhe të nisë procedura disiplinore ndaj çdo subjekti që shkel detyrimet e tij profesionale dhe etike.
  • Rikujton se ofrimi i ndihmës për përdorimin e platformës e-Albania është i paautorizuar të tarifohet nga profesionistë të lirë apo çdo subjekt tjetër privat.

Ministria e Drejtësisë angazhohet të garantojë që çdo qytetar të ketë akses të drejtë, të barabartë dhe pa pagesë në shërbimet publike dhe digjitale, si pjesë e angazhimit për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj publikut.

Për të raportuar raste të tilla, qytetarët mund të:

– paraqiten pranë godinës të institucionit ose,

– të kontaktojnë Ministrinë e Drejtësisë përmes email: info@drejtesia.gov.al