Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përshëndeti sot prezantimin e Vëllimit II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese, një hap i rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për rritjen e aksesit të qytetarëve te drejtësia kushtetuese.
Ky botim synon të afrojë më tej publikun me rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës, të drejtave të njeriut dhe rendit demokratik. Jurisprudenca e saj shërben si pikë referimi për ndarjen e pushteteve, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e lirive themelore.
Në fjalën e tij, Ministri Manja theksoi se Gjykata Kushtetuese ka një funksion të pazëvendësueshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke garantuar përputhjen e legjislacionit kombëtar me Kushtetutën dhe me standardet evropiane të shtetit të së drejtës.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë çdo nismë që forcon transparencën, pavarësinë dhe besimin e publikut tek drejtësia. Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve mund të ndërtojmë një sistem më funksional, më të drejtë dhe më pranë qytetarit.
Për një Shqipëri me institucione më të forta, më demokratike dhe të denjë për familjen europiane.




© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.