Shqipëria drejt një sistemi pronësie europiane - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/06/2025

Shqipëria drejt një sistemi pronësie europiane

Miratohet Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës 2025–2028

Nën drejtimin e Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Ndërministror për Reformën e Sistemit të Menaxhimit të Integruar të Tokës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse të përfshira në këtë proces reformues.

Në qendër të diskutimeve ishte miratimi i Udhërrëfyesit për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për periudhën 2025–2028, një dokument strategjik që përcakton drejtimet kryesore për ndërtimin e një sistemi të avancuar, tërësisht të digjitalizuar dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare për administrimin e pronës.

Ky dokument politikash synon:

garantimin e sigurisë juridike dhe të drejtave pronësore për qytetarët;

përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve kadastrale;

eliminimin e vonesave dhe praktikave burokratike të tejkaluara;

harmonizimin e plotë të sistemit kombëtar me standardet e Bashkimit Europian.

Miratimi i këtij udhërrëfyesi përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të zbatimit të reformës në fushën e pronës, si dhe një angazhim konkret në përmbushjen e objektivave të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të çuar përpara një sistem të drejtë, efikas dhe të besueshëm të menaxhimit të pronës, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe modernizimit të shërbimeve publike për qytetarët.