Fjala e Ministrit Gogu në seancën plenare në Kuvend - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/05/2026

Fjala e Ministrit Gogu në seancën plenare në Kuvend

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Mocioni i sotëm ngre dy dokumente të rëndësishme: Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve dhe progresraportin e Komisionit Europian.

Dy dokumente serioze.

Dy dokumente që evidentojnë problematika reale.

Por edhe dy dokumente që japin një mesazh të qartë:

Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur.

Sepse ekonomia nuk mat retorikën tonë politike.

Mat sjelljen e kapitalit.

Dhe kapitali ka folur qartë.

Në vitin 2024, Investimet e Huaja Direkte arritën 1.71 miliardë dollarë. Rekord historik për Shqipërinë.

Stoku total i investimeve është rritur me mbi 80 për qind krahasuar me vitin 2018.

Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme.

Inflacioni ka zbritur në 2.2 për qind.

Këto nuk janë slogane qeveritare.

Janë tregues ekonomikë.

Dhe pyetja lind natyrshëm:

Pse investohet sot në Shqipëri më shumë se dje?

Sepse investitori ndërkombëtar nuk investon mbi zhurmën politike të ditës.

Investon mbi drejtimin strategjik të një vendi.

Kapitali nuk pyet kush bërtet më fort në politikë.

Pyet: A ka stabilitet?; A ka institucione funksionale?; A ka siguri juridike?; A ka orientim të qartë europian?; A ka shtet që funksionon?

Dhe Shqipëria sot i ka këto elemente.

Ka orientim të pakthyeshëm euro-atlantik.

Ka negociata reale me Bashkimin Europian.

Ka stabilitet makroekonomik.

Ka reformë në drejtësi që nuk kthehet pas.

Të nderuar deputetë,

Kjo nuk do të thotë se sistemi ynë i drejtësisë është pa probleme.

Nuk është.

Ka backlog.

Ka vonesa.

Ka nevojë për më shumë eficiencë.

Ka nevojë për më shumë standarde procedurale.

Ka nevojë për më shumë siguri juridike.

Dhe raportet ndërkombëtare i evidentojnë këto problematika.

Por këtu duhet bërë dallimi i madh:

mes një sistemi që ka probleme,

dhe një sistemi pa drejtim.

Sepse Shqipëria sot nuk është një sistem pa drejtim.

Përkundrazi.

Për herë të parë në historinë tonë pluraliste:

  • Kemi institucione të pavarura të drejtësisë;
  • Kemi vetëpastrim të sistemit;
  • Kemi standarde europiane monitorimi;
  • Kemi institucione që kontrollojnë njëra-tjetrën;
  • Kemi procese reale llogaridhënieje.

Dhe kjo ka rëndësi shumë të madhe për ekonominë.

Sepse investitori nuk kërkon perfeksion absolut.

As rajoni nuk e ka.

As shumë vende të Bashkimit Europian nuk e kanë.

Investitori kërkon të dijë nëse vendi po përmirësohet apo po degradohet.

Dhe shifrat tregojnë qartë drejtimin.

Vetëm në Gjykatën e Lartë:

  • Backlog-u është ulur me 24 për qind gjatë vitit të fundit;
  • Dhe me afro 60 për qind krahasuar me pesë vite më parë.

Kjo nuk është statistikë administrative.

Është tregues ekonomik.

Sepse çdo dosje e pambyllur:

  • Është një konflikt i pazgjidhur;
  • Është një kontratë e pazbatuar;
  • Është një investim i shtyrë;
  • Është pasiguri për ekonominë.

Prandaj po investojmë fort në eficiencën e sistemit.

Për vitin 2026:

  • Sistemi gjyqësor po fuqizohet me 100 pozicione të reja;
  • Gjykata e Apelit ka hapur 50 vakanca për ndihmës ligjorë;
  • KLGJ ka miratuar 41 kuota të reja në Shkollën e Magjistraturës.

Pra sistemi po forcohet.

Po zgjerohet.

Po modernizohet.

Po ecim edhe me sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve.

Sepse drejtësia moderne nuk funksionon me errësirë procedurale.

Funksionon me:

  • Transparencë;
  • Gjurmueshmëri;
  • Standardizim;
  • Dhe kohë reale.

Sa më shumë transparencë, aq më pak hapësirë për arbitraritet.

Sa më shumë standardizim, aq më shumë besim.

Dhe besimi është infrastruktura reale e ekonomisë moderne.

Të nderuar deputetë,

Raportet ndërkombëtare flasin shpesh për sigurinë juridike.

Ky është koncepti kyç.

Sepse investitori nuk kërkon vetëm fitim.

Kërkon siguri mbi fitimin.

Kërkon të dijë:

  • Që kontrata zbatohet;
  • Që vendimi ekzekutohet;
  • Që procedura është e parashikueshme;
  • Që rregullat nuk ndryshojnë sipas krizës politike të radhës.
  • Dhe këtu kemi edhe dallimin më të madh politik në këtë sallë.

Ne besojmë se besimi ndërtohet me institucione.

Disa të tjerë vazhdojnë të investojnë te kriza permanente.

Ne besojmë te stabiliteti institucional.

Disa të tjerë vazhdojnë të ushqehen nga konflikti i përhershëm politik.

Por ekonomia moderne nuk ndërtohet mbi krizën.

Ndërtohet mbi parashikueshmërinë.

Kapitali nuk investon aty ku çdo proces reforme shpallet katastrofë kombëtare.

Kapitali investon aty ku sheh drejtim.

Dhe Shqipëria sot ka drejtim.

Të nderuar deputetë,

Faza e dytë e reformës në drejtësi mbështetet mbi tre prioritete:

  • Eficiencën;
  • Aksesin;
  • Dhe garancitë procedurale.

Aksesi në drejtësi ka rëndësi ekonomike po aq sa sociale.

Vetëm vitin e kaluar:

  • 5,863 qytetarë morën ndihmë juridike parësore;
  • 924 morën përfaqësim falas në gjykatë.

Sepse një sistem ku vetëm më i forti ekonomikisht përballon kostot e drejtësisë nuk prodhon treg të drejtë.

Prodhon pasiguri.

Po kështu, garancitë procedurale nuk janë luks teorik europian.

Janë standard ekonomik modern.

Një shtet serioz nuk matet vetëm nga sa fort ndëshkon.

Por nga sa drejt procedon.

Pikërisht për këtë arsye Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, po punon për:

  • Reduktimin e përdorimit të tepruar të paraburgimit;
  • Zgjerimin e alternativave ndaj tij;
  • Dhe forcimin e proporcionalitetit procedural.

Po ecim gjithashtu me Kodin e Ri Penal dhe Kodin e Ri të Procedurës Penale.

Jo për kozmetikë ligjore.

  • Por për të ndërtuar:
  • Më shumë qartësi;
  • Më shumë standard europian;
  • Më shumë proporcionalitet;
  • Dhe më shumë siguri juridike.

Sepse sot sfida nuk është më vetëm ndërtimi i institucioneve të reja.

Sfida është funksionimi i tyre me standard europian.

Të nderuar deputetë,

Ka ende shumë punë për të bërë.

Askush nuk e mohon.

Por le të mos bëjmë gabimin të ngatërrojmë tranzicionin me dështimin.

Sepse Shqipëria sot:

  • Negocion me Bashkimin Europian;
  • Tërheq investime rekord;
  • Ka institucione të pavarura drejtësie;
  • Dhe ka një kurs të qartë strategjik.

Kjo është arsyeja pse partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të investojnë besim te Shqipëria.

Sepse në fund, kapitali nuk investon aty ku ka më pak debat politik.

Investon aty ku ka më shumë siguri për të nesërmen.

Dhe sot, pavarësisht zhurmës së përditshme politike, Shqipëria shihet si një vend:

  • Më i qëndrueshëm,
  • Më i besueshëm,
  • Dhe më europian se dje.

Faleminderit!