E nderuar Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
I nderuar Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor,
Anëtarë të Këshillave, kolegë, partnerë,
Ciceroni e përkufizonte shtetin si iuris societas, një partneritet në drejtësi. Dhe nëse ka një vend ku kjo merr kuptim konkret, është pikërisht kjo tryezë sot.
Tre institucione, me mandate të dallueshme, por me një përgjegjësi të përbashkët: Që drejtësia të funksionojë si sistem, dhe të ndihet si e tillë nga qytetarët.
Në këtë frymë, ju falënderoj për këtë mbledhje të përbashkët dhe për gatishmërinë për ta trajtuar së bashku dy çështje thelbësore: vlerësimet etiko-profesionale dhe ngarkesën e grumbulluar.
Një fjalë mbi partneritetin.
Reforma e vitit 2016 e ka ndarë qartë arkitekturën:
Këshillat mbajnë përgjegjësinë për karrierën dhe përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve.
Ministria e Drejtësisë ka një rol tjetër: të bartë nevojat e sistemit aty ku ju nuk jeni të pranishëm në buxhet, në legjislacion, dhe në raportimin europian.
Unë jam sot këtu, së pari për të dëgjuar.
Dhe më pas, për ta kthyer atë që dëgjoj në mbështetje konkrete, kur është e arsyetuar, në Këshillin e Ministrave, në Kuvend dhe në dialogun me partnerët.
Ne ulemi në tavolina të ndryshme.
Por partneriteti është një, dhe në fund matet me rezultate.
Mbi vlerësimet etiko-profesionale.
Progresi i vitit 2025 është i prekshëm.
KLP ka kaluar nga zero vlerësime deri në nëntor 2024, në rreth pesëdhjetë gjatë vitit 2025.
Edhe KLGJ ka bërë përparim, ndonëse ritmi mbetet nën planin vjetor.
Shifrat aktuale, 11 nga 61 për KLGJ-në, dhe 5 nga 42 për KLP-në, janë realiteti me të cilin do të matemi në raportin e ardhshëm të Komisionit Europian.
Kjo nuk është thjesht çështje statistike.
Është çështje besueshmërie të sistemit.
Por për qytetarin, cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me numrin e vlerësimeve.
Matet me atë që ai përjeton si drejtësi të drejtë dhe të parashikueshme.
Kur për çështje të njëjta, në marrëdhënie pune, dëmshpërblime apo çështje pronësie, kemi vendime të ndryshme nga gjykata të ndryshme, apo edhe brenda të njëjtës gjykatë, qytetari nuk sheh më një sistem që jep të njëjtin standard për të gjithë.
Dhe këtu, vlerësimi etiko-profesional merr një dimension edhe më të rëndësishëm:
jo vetëm si një proces për karrierën e magjistratëve, por si një instrument për të forcuar cilësinë, koherencën dhe parashikueshmërinë e drejtësisë.
Lajmi i mirë është se kemi sot një kuadër më realist dhe më konstruktiv:
matjen e progresit në raport me planet vjetore të vetë Këshillave, me objektivin e përbashkët për të arritur tre të katërtat deri në fund të vitit.
Ky është një standard që njeh realitetin, por kërkon rezultat.
Ministria është gati të jetë në krahun tuaj në këtë proces:
Kudo ku ka nevojë reale për ndërhyrje, Ministria do të jetë aty për ta kthyer në zgjidhje.
Mbi ngarkesën e grumbulluar.
Këtu pamja është më e shtresëzuar.
Hapat e ndërmarrë gjatë vitit 2025 janë të rëndësishëm:
Efektet e këtyre masave do të ndihen, por kërkojnë kohë.
Ndërkohë, nga perspektiva e qytetarit, ka një shtresë që del shumë qartë:
jo vetëm numri i çështjeve në pritje, por koha mes shpalljes së vendimit dhe arsyetimit të tij.
Sot, kjo kohë varion nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Për qytetarin, drejtësia nuk vonohet në sallë, vonohet në momentin kur nuk merr vendimin e arsyetuar.
Kjo është një fushë ku përparimi do të ishte menjëherë i ndjeshëm.
Në këtë kuadër, si një mendim për reflektim nga ana juaj, dhe jo si propozim i Ministrisë, do të sugjeroja që kjo shtresë të marrë një vëmendje të veçantë në inspektimet tematike të viteve 2026–2027, në linjë me Objektivin Specifik 4.2 të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.
Çfarëdo forme që merr ky reflektim, Ministria do të jetë në dispozicion për ta mbështetur.
Tetë vjet më parë, këto Këshilla nuk ekzistonin.
Sot, ato funksionojnë, marrin vendime, dhe mbajnë mbi supe një pjesë thelbësore të sistemit.
Ajo që kërkojnë qytetarët është e thjeshtë:
një drejtësi më e shpejtë, më transparente, dhe më e arritshme.
Reforma e vitit 2016 vendosi themelet.
Detyra jonë sot është ta kthejmë këtë arkitekturë në rezultate konkrete.
Ministria e Drejtësisë e sheh këtë si një punë të përbashkët, me respekt të plotë për rolet dhe pavarësinë tuaj.
Unë jam këtu për një gjë të thjeshtë: Që sistemi të funksionojë më mirë për qytetarët, bashkë me ju.
Na tregoni ku mund të ndihmojmë.
Dhe ne do të jemi aty.
© Ministria e Drejtësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.