I nderuar Kryeministër Edi Rama,
I nderuar President i World Law Foundation Javier Cremades,
Të nderuar anëtarë të Bordit,
Të nderuar juristë, shërbëtorë të ligjit dhe miq të drejtësisë,
Pas tre ditësh, Shqipëria feston Ditën e Drejtësisë. Një datë që na kthen te 10 maji i vitit 1913, kur shteti shqiptar i sapokrijuar hodhi hapat e parë për organizimin e sistemit të tij gjyqësor.
Nuk është pa kuptim që një nga aktet e para të shtetit shqiptar ishte organizimi i drejtësisë. Që në fillesë, shteti shqiptar kërkoi të themelohet nën sundimin e ligjit.
Një shekull më vonë, e gjendur përballë misionit të vet historik, anë tarësimit në familjen europiane, Shqipëria ndërmori reformën më themelore për drejtësinë: atë që njihet si reforma kushtetuese e vitit 2016.
Dhe sot, në sesionin hapës të këtij Kongresi Botëror të Ligjit, ne shohim pas. Te historia e ndërtimit të institucioneve tona. Te zgjedhja për të reformuar drejtësinë, edhe kur kjo dukej e pamundur.
Ne reflektojmë. Mbi një dekadë transformimi, debatesh, rezistence dhe pritshmërish.
Dhe ne shohim përpara. Drejt një bote ku besimi tek institucionet, sundimi i ligjit dhe vetë demokracia po vihen gjithnjë e më shumë në sprovë.
Prandaj sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një reformë shqiptare. Jemi mbledhur për të reflektuar mbi një pyetje që tashmë është globale: a kanë ende shoqëritë demokratike vullnetin për të reformuar vetveten?
Unë i përkas një brezi juristësh që u formua në vitet kur Shqipëria përpiqej të ndërtonte një shtet demokratik dhe institucione të besueshme.
Për ne, ideja e “Shqipërisë europiane” ka qenë gjithmonë e lidhur me një bindje të thjeshtë: që ligji duhet të jetë më i fortë se pushteti.
Dhjetë vite më parë, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Një reformë e miratuar në unanimitet nga të 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Një moment i rrallë konsensusi politik për drejtësinë.
Ishte një reformë e jashtëzakonshme. Dhe, në shumë momente, edhe e dhimbshme.
Nuk ishte një rregullim teknik. Ishte një zgjedhje për të ndryshuar marrëdhënien mes pushtetit dhe ligjit. Për të kaluar nga një sistem i ndikuar nga politika, drejt një sistemi që vetëqeveriset përmes institucioneve të tij të pavarura.
Ky transformim nuk erdhi rastësisht. Ai u ndërtua përmes një procesi gjithëpërfshirës, me ekspertizë shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe nën shqyrtimin rigoroz të Komisionit të Venecias.
Në Europë, shteti i së drejtës nuk u ndërtua brenda një dite. Institucionet u formuan përmes krizave, reformave dhe korrigjimeve të vazhdueshme, që nga Magna Carta te rindërtimi demokratik i Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Sociologu gjerman Max Weber do te konkludonte, besimi në rendin ligjor është themeli i shtetit modern.
Por ky besim nuk dhurohet. Ai ndërtohet mundimshëm çdo ditë.
Dhe sot, konteksti global e bën këtë edhe më të qartë.
Në vitet e fundit, në më shumë se gjysmën e vendeve të botës, treguesit e sundimit të ligjit kanë qëndruar në vendnumëro ose janë përkeqësuar. Ndërkohë, më pak se 10% e popullsisë botërore jeton sot në demokraci të plota.
Pra, sfida sot nuk është vetëm të ndërtosh institucione. Sfida është të ruash besimin tek ato.
Në këtë kontekst, Shqipëria nuk është e përsosur. Por ajo përfaqëson diçka që sot nuk është e zakonshme: vendosmërinë për të reformuar veten.
Edhe kur kjo ka kosto.
Edhe kur kërkon kohë.
Edhe kur përballet me skepticizëm.
Dhe kjo nuk është vetëm një çështje politike. Është edhe një debat publik shqiptar. Një debat i fortë, shpesh i lodhshëm, mes pritshmërisë për rezultate të shpejta dhe realitetit të reformave që kërkojnë kohë.
Debati është pjesë e vetë procesit reformues. Sepse drejtësia nuk ndërtohet fshehurazi. Ajo ndërtohet në sytë e publikut dhe përmes besimit të tij.
Në kulturën shqiptare ekziston koncepti i “besës”: fjala e dhënë që krijon detyrim.
Në një farë mënyre, edhe shteti modern funksionon mbi një “besë” më të madhe: besimin se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë.
Dhe ndoshta kjo është sfida më e madhe e kohës sonë: jo vetëm të shkruajmë ligje të mira, por të ruajmë besimin e shoqërive tona tek drejtësia dhe institucionet.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e Kongresit Botëror që zhvillojmë vitin tjetër në Tiranë.
Ndërsa shënojmë 10 vite nga reforma, ne nuk shpallim një sukses të përfunduar.
Ne riafirmojmë bindjen tonë: se drejtësia nuk mund të jetë e fortë pa qenë e besueshme; se pavarësia është e pamjaftueshme pa përgjegjshmërinë; dhe se shteti i së drejtës nuk mbahet gjallë vetëm nga institucionet, por edhe nga besimi i qytetarëve tek ato.
Zonja dhe zotërinj,
Dhjetë vite më parë, Shqipëria ndërmori një reformë të vështirë dhe ende të papërfunduar.
Sot, ne jemi më të qartë se kurrë për një gjë: sundimi i ligjit nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë.
Që ligji të sundojë nevojiten institucione që korrigjojnë vetveten.
Duhet që shoqëria të mos heq dorë kurrë nga kërkesa për drejtësi.
Dhe kërkohet vullnet politik për të reformuar, edhe kur reforma duket e pamundur.
Në këtë kuptim, ky Kongres nuk është vetëm një moment reflektimi.
Është një kujtesë se shteti i së drejtës mbetet puna më e vështirë e demokracive tona, por në fund të fundit më e domosdoshmja.
Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.