Konferenca e parë kombëtare për promovimin e sistemit satelitor ALBPOS - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/07/2014

Konferenca e parë kombëtare për promovimin e sistemit satelitor ALBPOS

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme organizuan Konferencën e Parë Kombëtare “Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global, ALBPOS”.

Në panel ishin të ftuar Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, Ministri i Inovacionit, znj. Milena Harito, Kryeregjistruesi i Shqipërisë, z. Ilirian Muho, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), z. Lorenc Çala, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, z. Artan Lame, Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, znj. Sonila Qato etj.

Gjatë fjalës së hapjes së konferencës, z. Ilirian Muho, në cilësinë e moderatorit dhe përfaqësuesit të institucionit implementues të sistemin ALBPOS, u shpreh se ky është një projekt me rëndësi kombëtare.

“Ky projekt do të sjellë krijimin e një sistemi koordinativ standard kombëtar, i cili do tu ofrohet falas përdoruesve të tij, ndërsa në një kohë të mëvonshme do të ketë një tarifë pagese, e cila do të shërbejë për mirëmbajtjen e sistemit. Gjithashtu, në kuadër të këtij projekti është bërë e mundur lidhja e 16 stacioneve me internet në të gjitha rrethet e vendit. Antena satelitore GPS janë instaluar në 16 njësi vendore, për të mundësuar përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe parcelave, duke shmangur kështu mbivendosjen ose pasaktësitë e mëparshme.”– theksoi Muho.

Ministri i Drejtësisë në fjalën e tij theksoi, se risia e këtij projekti është kalimi nga sistemi koordinativ tokësor në atë hapësinor, që sjell më shumë saktësi dhe ka një rendiment të lartë pune.

“Përdorimi i sistemit ALBPOS do të jetë i frytshëm në drejtim të përmirësimit të procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, në përcaktimin e pronave publike, rritjen e efikasistetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, unifikimin dhe saktësimin e hartave topografike, si dhe për realizimin e projekteve shkencore sizmiologjike dhe ambientale. Ky sistem, gjithashtu, do të shërbejë edhe për mbështetjen e projektit të ri që ne kemi në realizim me Bankën Botërore, për përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme.”- u shpreh Ministri Naço.

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe Ministrja e Inovacionit, znj. Milena Harito, e cila parashtroi për të pranishmit në konferencë një detajim teknik të sistemit të ri satelitor.

“Ky sistem do të ofrojë një informacion të saktë gjeohapësinor, që krijon një bazë të përbashkët të dhënash dhe ofron një zhvillim më të qëndrueshëm. Dua t’ju njoftoj se ky sistem është sot funksional dhe i hapur për përdoruesit. Koordinatat që ai do të ofrojë janë në përputhje me standardet e kërkuara nga vendet europiane. Informacioni i pikave gjeodezike do të jetë i saktë dhe zgjidh pothuajse tërësisht problemet e deritanishme me referencat e koordinatave. Investimi për sistemin ALBPOS ka kushtuar 1.200.000 Euro dhe është një investim i kryer nga projekti CARDS. Është një sistem i sofistikuar dhe teknikisht i vështirë për tu mirëmbajtur, që kontrollohet nga një qendër kontrolli. Ky sistem është i referueshëm edhe për studime mbi tokën dhe ndryshueshmërinë e saj, por në radhë të parë na shërben për të zgjidhur problemin e kufijve të pronave.”- theksoi Ministrja Harito.

Sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me asistencën teknike të Agjencisë Suedeze të Hartografisë, Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive. Sipas të dhënave që u prezantuan nga z. Lorenc Çala, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor, implementimi i këtij sistemi është i ndarë në tre faza.

“Faza e parë është ajo e ngritjes dhe funksionimit të ALBPOS, faza e dytë është mbledhja e informacioneve të koordinatave gjeohapësinore dhe faza përfundimtare është standardizimi i informacioneve të grumbulluara. Gjithsej në territorin e Republikës së Shqipërisë janë 1813 pika të referueshme, por më parë ato nuk janë pasqyruar në mënyrë të rregullt, për arsye neglizhence apo edhe të mbivendosjes së sistemeve të ndryshme që kanë funksionuar deri më sot.”– sqaroi z. Çala.

ALBPOS bën të mundur marrjen e referencave koordinative në kohë reale, si dhe siguron një infrastrukturë të përshtatshme teknike, që i përshtatet kërkesave të kohës. Ky sistem shmang ndryshimet dhe pasaktësitë koordinative të mëparshme dhe zgjidh përfundimisht referencat e pronave, që deri më sot kanë hasur në problematikën e mbivendosjes së kufijve të tyre territorialë.