Manja: Avokati i Popullit, një gur themeli i demokracisë shqiptare - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/06/2025

Manja: Avokati i Popullit, një gur themeli i demokracisë shqiptare

Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë të organizuar në Tiranë me rastin e 25-vjetorit të themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit, një mekanizëm thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Manja vlerësoi kontributin e Avokatit të Popullit gjatë këtyre 25 viteve si zëri i ndërgjegjes qytetare dhe mbrojtës i palëkundur i të drejtave të individit. Ai theksoi se Qeveria shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë e kanë trajtuar gjithmonë këtë institucion jo si kundërshtar, por si një pasqyrë të ndershme dhe një udhërrëfyes të vyer për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e standardeve në administrimin publik.

Konferenca, e organizuar nën kujdesin e Avokates së Popullit, znj. Erinda Ballanca, mblodhi përfaqësues të institucioneve vendase e ndërkombëtare, partnerë dhe aktorë të shoqërisë civile, duke përcjellë një mesazh të qartë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për të forcuar më tej këtë partneritet të rëndësishëm dhe për të garantuar që të drejtat në Shqipëri të mos jenë privilegj, por standard i padiskutueshëm, ku drejtësia u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe pa dallim.