Manja: Shqipëria do të jetë epiqendra e noterisë botërore në vitin 2026 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/05/2025

Manja: Shqipëria do të jetë epiqendra e noterisë botërore në vitin 2026

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ndarë sot lajmin se Shqipëria do të mirëpresë Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Botëror të Noterëve (UINL), e cila do të mbahet në Tiranë në tetor të vitit 2026.

Ngjarja më e rëndësishme e noterisë ndërkombëtare do të mbledhë në kryeqytetin shqiptar përfaqësues nga 92 shtete të botës, duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën botërore të këtij profesioni në një kohë kur digjitalizimi dhe transparenca janë kthyer në standarde globale.

“Për ne është një nder dhe përgjegjësi e madhe të mikpresim Asamblenë e Përgjithshme të UINL. Ky është një vlerësim i drejtpërdrejtë për reformën në drejtësi, për modernizimin e noterisë shqiptare dhe për përkushtimin tonë që kjo profesion të jetë në shërbim të qytetarëve me më shumë transparencë, më i sigurt dhe më afër njerëzve,” u shpreh ministri Manja.

Zhvillimi i kësaj asambleje në Tiranë është një dëshmi konkrete e rolit aktiv që Shqipëria po luan në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në ndërtimin e institucioneve që garantojnë shërbime moderne dhe të besueshme për qytetarët.

Për ministrin Manja, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë si model reformash, për thellimin e bashkëpunimit me vendet partnere dhe për forcimin e besimit ndërkombëtar në sistemin tonë ligjor.

“Shqipëria po ngjitet aty ku i takon në hartën botërore të drejtësisë,” theksoi Ministri.