Ministri i Drejtësisë prezanton Rekomandimet Prioritare 2026 bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/06/2026

Ministri i Drejtësisë prezanton Rekomandimet Prioritare 2026 bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu prezantoi sot Rekomandimet Prioritare 2026 në luftën kundër kriminalitetit, në një takim të përbashkët me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK Klodian Braho.

 

Dokumenti, i miratuar me VKM nr. 347 datë 13 maj 2026, përmban tregues të matshëm, burime verifikimi dhe afate konkrete — duke e shndërruar rekomandimet nga akt orientimi në instrument vlerësimi të lidhur drejtpërdrejt me piketat përmbyllëse të Kapitujve 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit.

 

Rezultate të 2025

Analiza e zbatimit të rekomandimeve të vitit të kaluar konfirmon tendenca pozitive: SPAK nisi kryesisht 37% të procedimeve të reja — rritje prej 19.8% krahasuar me 2024; çështjet e prapambetura për 2020–2021 u reduktuan me 78%, përpara afatit të planifikuar; vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti rreth 33 milionë euro. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dërguan 182 procedime korrupsioni për gjykim, rritje prej 15.92%.

 

Tre fusha të reja strukturore për 2026

Rekomandimet 2026 sjellin tre shtesa me karakter strukturor: evazionin fiskal si prioritet penal të lidhur me mbrojtjen e interesit financiar të shtetit; kriminalitetin kibernetik me ngritje njësish të specializuara dhe investime teknologjike; dhe kriminalitetin rrugor me intensifikim të hetimeve dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.

 

Qartësi institucionale

Ministri theksoi ndarjen e qartë të mandateve: Ministria e Drejtësisë harton politikën penale dhe metodologjinë e vlerësimit; prokuroria zbaton mandatin kushtetues me pavarësi të plotë procedurale. Rekomandimet nuk janë direktiva – janë orientim i politikës penale të shtetit, i miratuar nga Këshilli i Ministrave.

 

Do të formalizohet gjithashtu një protokoll për mbledhjen periodike të të dhënave ndërmjet Ministrisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK