Ministri i Drejtësisë, z.Besfort Lamallari, priti në një takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasasës së SHBA në Tiranë, znj.Nancy VanHorn.
Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës ishin temat kryesore të diskutimit.
Në një deklaratë të shkurtër pas takimit, Ministri i Drejtësisë vlerëson mes të tjerash ndihmën e vijueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për reforma kyçe.
“Kënaqësi të prisja sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, znj. Nancy VanHorn. Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë të pakthyeshëm progresin e arritur deri më tani dhe për të garantuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Mbetemi të përkushtuar të forcojmë kapacitetet tona në institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh. Partneriteti strategjik me SHBA dhe mbështetja e vijueshme e tyre në shumë reforma kyçe, për ne kanë një vlerë të çmuar”, shprehet ministri Lamallari.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.