Ministri Manja prezanton prioritetet e Qeverisë për luftën kundër kriminalitetit 2025
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi në Prokurorinë e Përgjithshme prioritetet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025. Në takim morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela, dhe Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani.
Ministri Manja nënvizoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë për të garantuar funksionimin e një sistemi prokurorie të pavarur, të besueshëm dhe efektiv. Mbështetja institucionale synon të krijojë kushtet e nevojshme që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të ushtrojnë detyrat e tyre me integritet dhe profesionalizëm, të çliruara nga çdo ndikim apo kompromis.
“Rekomandimet tona janë të qarta: më shumë efikasitet, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe, mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët,” deklaroi ministri Manja, duke theksuar se ndërtimi i një drejtësie funksionale kërkon bashkëveprim dhe përkushtim në çdo hallkë të sistemit.
Ai shtoi: “Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për të fuqizuar më tej pavarësinë e saj — që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre dhe krimi të mos gjejë më asnjë hapësirë për të vepruar.”
Përmes këtyre prioriteteve, Qeveria shqiptare synon të konsolidojë luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, të rrisë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe të forcojë themelet e shtetit të së drejtës.










© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.