Ministri Naço: Etika gjyqësore, vëmendje e veçantë gjatë inspektimeve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 09/07/2014

Ministri Naço: Etika gjyqësore, vëmendje e veçantë gjatë inspektimeve

Inspektimi i shkeljeve të etikës gjyqësore ishte tematika e seminarit që ka mbledhur së bashku inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ata Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë seminarit do të trajtohen çështje të ndryshme që kanë lidhje me etikën gjyqësore, duke sjellë eksperiencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sikurse edhe Francës përmes referimeve të ekspertëve të fushës nga të dy vendet.

Gjatë fjalës së tij në nisjen e ditës së parë të seminarit, Ministri Naço ripërsëriti nevojën e përgjegjshmërisë së gjyqësorit, si një element të qenësishëm të sundimit të ligjit dhe komponent të domosdoshëm për paanësinë e gjyqtarëve dhe për mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

 

“Për të patur një sistem efektiv, i cili shkon drejt materializimit të së drejtës të çdo qytetari, është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor. Thelbi i institutit të inspektimit dhe mekanizmave të kontrollit është në mbrojtjen e interesit publik dhe interesave të ligjshme të personave fizikë e juridikë”, theksoi Ministri Naço

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço

 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time për organizimin e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm për të dy institucionet, Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili zhvillohet në kuadër të përmirësimit dhe zhvillimit më tej të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të proceseve tona inspektuese ndaj sistemit gjyqësor.

Për të patur një sistem efektiv, i cili shkon drejt materializimit të së drejtës të çdo qytetari, është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor dhe evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga ata të paaftë, i profesionistëve nga joprofesionistët, i të përgjegjshmëve nga të papërgjegjshmit.

 

Aktualisht, reformat e ndërmarra në sistemin gjyqësor shënojnë një histori suksesi ku rëndësi thelbësore i është kushtuar forcimit të pushtetit gjyqësor të pavarur dhe efektiv, të aftë për të dhënë drejtësi të paanshme, me integritet dhe me standarde të larta.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se dhënia e drejtësisë bazohet dhe orientohet në parimet bazë si pavarësia, paanësia dhe përgjegjshmëria e gjyqtarëve, por nga ana tjetër edhe rritja e aksesit për qytetarët në drejtësi.

Të gjitha këto përkundrejt ofrimit të një shërbimi cilësor, me standarde evropiane dhe kosto efektive.

Thelbi i institutit të inspektimit dhe mekanizmave të kontrollit është në mbrojtjen e interesit publik dhe interesave të ligjshme të personave fizikë e juridikë.

Procedura e inspektimit mbështetet në rregullin se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe ai ushtrohet i shkallëzuar sipas parimit të kontrollit të vendimeve gjyqësore të gjykatave më të ulta nga gjykatat më të larta, dhe se asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë, ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë.

Por nga ana tjetër, parimi i ndarjes së pushteteve, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush.

Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes, garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave.

Në këtë mënyrë, sipas Kushtetutës, aq sa flitet për ndarje bëhet fjalë edhe për ekuilibër të pushteteve.

Qëllimi i një koncepti të tillë kushtetues siguron që të parandalojë çdo degë të qeverisjes për të ushtruar një pushtet të pakufizuar.

Ekspertët europianë, në raport progreset e hartuara, këto dy vitet e fundit kanë pranuar, progresin dhe përparimin e arritur në çështjet e koordinimit mes dy inspektoriateve të sistemit gjyqësor atij të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, për shmangien e mbivendosjes së kompetencave mes tyre, dhe nevojën për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

 

Në këtë kuadër, vlerësohet si mjaft efektive memorandumi i bashkëpunimit midis dy inspektorateve, manuali i inspektimit gjyqësor, si dhe koordinimi i veprimeve bazuar në role të ndara dhe përgjegjësi ligjore.

 

Respektimi i rregullave të etikës, si një detyrim ligjor, është në vëmendjen e strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë gjatë inspektimeve të kryera në gjykatat e rrethit dhe të apelit.

 

Një element i shtuar në drejtim të transparencës së gjykimit por dhe të respektimit të rregullave të etikës gjyqësore ka qenë dhe implementimi i Projektit JUST të USAID për sistemin audio record, ku seancat gjyqësore regjistrohen në mënyrë të plotë.

Për këtë mbetemi të angazhuar që të krijojmë përdorimin e këtij sistemi nga njëra anë dhe nga ana tjetër verifikimin në çdo rast të shkeljeve të rregullave të etikës gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Me gjithë arritjet e deritanishme, shpreh bindjen time se nevojitet më shumë punë, përkushtim dhe përgjegjshmëri e lartë profesionale, në reformimin e procesit të kontrollit të gjykatave dhe nxjerrjes përpara ligjit të atyre gjyqtarëve, që kryejnë veprime apo mosveprime në kundërshti me Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e qytetarëve.

 

Ne kemi nisur rrugëtimin tonë drejt reformave të fuqishme të sistemit gjyqësor, e cila do të përbëjë edhe prioritetin e qeverisë shqiptare në 300 ditët e ardhshme.

 

Në këtë kuadër, dëshiroj të ftoj ekspertizën ndërkombëtare për të ofruar asistencën e tyre të vyer, në realizimin e këtyre objektivave, që synojnë ta kthejnë sistemin gjyqësore nga një sistem që punon për interesat e veta, në një sistem që duhet t’i shërbejë gjithë  qytetarëve.

 

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht ekspertët e thirrur në këtë aktivitet dhe jam i sigurt se, me  eksperiencën e tyre të shkëlqyer, do të japin një ekspertizë profesionale, në trajtimin e çështjeve të inspektimit gjyqësor.

 

Me lejoni të nderuar pjesëmarrës, t’ju theksoj dhe njëherë se, vullneti dhe përpjekjet tona tashmë do të jenë edhe më të forta, pasi jemi të angazhuar maksimalisht për t’i kthyer faqen këtij sistemi, drejt pavarësisë, efektivitet dhe përgjegjshmërisë të të gjithë komponentëve përbërës të shtetit së drejtës konform standardeve më të mira europiane.