Ndihma Juridike dhe QBZ, Ministri i Drejtësisë referon në Parlament - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/07/2014

Ndihma Juridike dhe QBZ, Ministri i Drejtësisë referon në Parlament

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, mori pjesë në seancën parlamentare të datës 10 Korrik 2014, ku u diskutuan një sërë projektligjesh, mes të cilëve Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike” të ndryshuar” dhe Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”.

Në fjalën e tij para deputetëve, Ministri vuri në pah rëndësinë e ndryshimeve ligjore të propozuara dhe faktin se sa të domosdoshme ishin ato, për të mundësuar një drejtësi për të gjithë dhe transparencë në sistemin e drejtësisë. Këto ndryshime vijnë në kuadër të reformës në drejtësi, ku një vëmendje e madhe i është kushtuar heqjes së çdo pengese artificiale për realizimin e të drejtave, ku sipas Ministrit edhe e drejta e shtetasve për akses në drejtësi përbën një tipar thelbësor të shoqërive demokratike.

Pas fjalës së Ministrit në lidhje me projektligjin mbi Ndihmën Juridike, referuan edhe deputetet Silva Caka dhe Vasilika Hysa. Deputetja Caka u shpreh se rritja e transparencës, objektivitetit dhe zbatueshmërisë së ndihmës juridike me efektivitet dhe pa diskriminim ndaj njerëzve në nevojë janë disa nga synimet që ka ky projektligj. Ajo gjithashtu, u ndal në analizimin e disa prej risive që sjell projektligji, siç janë ofrimi i menjëhershëm i ndihmës juridike në situatë emergjence për shtetasit që e kërkojnë atë dhe fakti që ndihma juridike tu jepet si shtetasve shqiptarë, ashtu edhe atyre të huaj dhe pa shtetësi. Ndërsa deputetja Vasilika Hysa, si relatorja e këtij projektligji në komisionin parlamentar, u shpreh në fjalën e saj në Parlament se: “Mungesa e aksesit në drejtësi ka qenë një problematikë e madhe dhe ne kishim premtuar që do t’i hiqnim këto pengesa, të cilat e bënin të vështirë për qytetarët të përfitonin nga ndihma juridike shtetërore. Ky ligj vjen pas një punë të gjatë të bërë nga Drejtoria e Kodifikimit  pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilët i falenderoj për punën intensive që kanë kryer në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë.”

Ndërsa në lidhje me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” Ministri Naço u shpreh se: “Me zbatimin e këtij ligji të ri do të kemi një nivel sigurie më të lartë të akteve që botohen në Fletoren Zyrtare dhe saktësi të garantuar të informacionit që botohet në të. Duke qenë burimi i vetëm dhe autentik i akteve ligjore dhe nënligjore, ku bazohet e gjithë veprimtaria e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor, sistemi i publikimit, përfshi këtu publikimin elektronik, por dhe ai i nxjerrë në shtyp (hard copy) nga QBZ, duhet të ofrojë siguri maksimale të informacionit.”

Të dyja projektligjet u votuan me shumicë votash në Parlament.