Një Kod Penal modern për Shqipërinë! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/07/2025

Një Kod Penal modern për Shqipërinë!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi draftin përfundimtar të Kodit të Ri Penal, përpara aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë, universiteteve, shoqërisë civile dhe mediave, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend. Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari.

Kodi i Ri Penal është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional, ku janë angazhuar ekspertët më të mirë të së drejtës penale. Ai synon përafrimin me konventat, direktivat dhe standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare, rekomandimet e institucioneve kryesore të drejtësisë, si dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave.

Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi. Me këtë Kod të Ri Penal, i përgjigjemi sfidave të reja sociale, ekonomike dhe teknologjike me një qasje moderne: duke depenalizuar sjelljet që nuk përbëjnë më rrezik shoqëror dhe duke kriminalizuar veprime që cenojnë jetën, sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

“Ky Kod i Ri Penal nuk është thjesht një reformë ligjore, por një garanci për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ai vendos drejtësinë dhe të drejtat themelore të qytetarit në qendër të shtetit të së drejtës,” – u shpreh Ministri i Drejtësisë gjatë prezantimit.

Ky nuk është thjesht një ndryshim ligjor. Kodi i Ri Penal është një akt garancie për të ardhmen evropiane të Shqipërisë — një legjislacion bashkëkohor, i drejtë dhe funksional për një shoqëri demokratike në zhvillim.

Drafti i Kodit të Ri Penal mund të aksesohet në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, në linkun:

https://www.drejtesia.gov.al/drafti-i-kodit-te-ri-penal/