Një qëllim, një drejtim: Drejtësi europiane për Shqipërinë e së nesërmes - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/06/2025

Një qëllim, një drejtim: Drejtësi europiane për Shqipërinë e së nesërmes

Ministria e Drejtësisë, nën drejtimin e Ministrit Ulsi Manja, zhvilloi në Tiranë një tryezë të hapur për prezantimin e raportit mbi zbatimin e Strategjisë së Drejtësisë 2024–2030 dhe progresin e arritur në përmbushjen e angazhimeve në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile, me fokus te vlerësimi i ecurisë së reformës dhe adresimi i sfidave të mbetura.

Diskutimet u përqendruan në disa shtylla kryesore:

Rritja e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë;

Ndryshimet ligjore për të garantuar qëndrueshmëri dhe efektivitet;

Forcimi i koordinimit ndërinstitucional dhe rritja e reagimit në kohë;

Përmirësimi i transparencës, mekanizmave të monitorimit dhe llogaridhënies;

Eficienca në trajtimin e çështjeve gjyqësore dhe përshpejtimi i proceseve.

Reforma në drejtësi vazhdon me hapa të qëndrueshëm dhe të matur, duke ndërtuar një sistem më të besueshëm dhe më të aksesueshëm për qytetarët. Përmes zbatimit të Strategjisë së Drejtësisë 2024–2030, Shqipëria forcon themelet e një drejtësie moderne, që i shërben shoqërisë dhe përmbush standardet europiane.