Me ligjin Nr. 9/2022 “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme” dhe aktet nënligjore të nxjerra në funksion dhe për zbatim të tij, është rregulluar procedura për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një risi në legjislacionin shqiptar.
Komisioni Disiplinor shqyrton të gjitha raportet e hetimit së bashku me dosjet hetimore të ministrit të Drejtësisë, kërkesat e ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme dhe vendos për masat disiplinore sipas ligjit.
Në nenin 29 të Ligjit nr. 9/2022 përcaktohet se:
“Komisioni disiplinor është organ kolegjial, i cili përbëhet nga:
a) 2 përfaqësues nga ministria;
b) 1 përfaqësues nga ministria që mbulon çështjet e parandalimit të pastrimit të parave;
c) 2 përfaqësues nga shoqatat profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme.
Në Kreun II të Urdhërit Nr.186, datë 04.05.2022, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kriteret, procedurat për përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe funksionimin e komisionit disiplinor, mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive prej tij dhe organizimin e procedimit disiplinor për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”, janë përcaktuar hollësisht kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarve të Komisionit Disiplinor.
Përfaqësuesit në Komisionin Disiplinor caktohen nga strukturat përgjegjëse që lidhen me fushën e profesioneve të rregulluara dhe pasurive të paluajtshme, në përputhje me fushën e përgjegjësisë respektive.
Për sa më sipër, ftojmë të gjitha shoqatat profesionale për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme për shprehjen e interesit për të pasur anëtarë në komisionin disiplinor.
Kërkesat të paraqiten pranë Ministrisë së Drejtësisë brenda afatit 10 ditor.
© Ministria e Drejtësisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.