Shqipëria do të ketë më në fund një politikë kombëtare të qartë për shfrytëzimin dhe menaxhimin e tokës. Me mbështetjen e Bashkimit Europian ka nisur tashmë një punë konkrete për të finalizuar një proces, i cili është mes të tjerash edhe një detyrim në kuadër të integrimit.
Ministri i Drejtësisë, z. Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim në cilësinë e drejtuesit të Komitetit Ndërministror për Reformën e Sistemit të Menaxhimit të Integruar të Tokës.
Të pranishëm ishin gjithashtu ministri i Bujqësisë, z. Andis Salla, ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj dhe zv.ministra të tjerë anëtarë të këtij komiteti, si dhe drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, znj. Lorena Goxhobelli.
“Në takimin e Komitetit Ndërministror për Reformën e Sistemit të Menaxhimit të Integruar të Tokës. Me mbështetjen e BE-së po përgatisim një politikë kombëtare të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, jo thjesht si përmbushja e një detyrimi formal në avancimin e procesit tonë integrues, por mbi të gjitha për të adresuar të gjitha sfidat që lidhen me çështjet e pronësisë, bujqësisë, zonave të mbrojtura dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Besimplotë se në finale të kësaj pune që tashmë ka nisur, Shqipëria do të ketë një dokument solid, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga Brukseli për menaxhimin e tokës si aseti ynë kryesor dhe pikënisja e çdo plani zhvillimor që na duhet për këtë fazë të re ku ka hyrë vendi”, thotë ministri Lamallari në përfundim të takimit.







© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.