Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, që u zhvillua në qytetin e Vlorës, gjatë datave 9-10 qershor. Aktiviteti, i organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Iniciativën Qendrore Evropiane për Sundimin e Ligjit (CEELI), shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Manja prezantoi vizionin e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi drejtësie të besueshëm, efikas dhe të digjitalizuar, duke nënvizuar:
Përmbylljen me sukses të procesit të vettingut dhe konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë;
Zbatimin e një strategjie të qartë për uljen e stokut të çështjeve (backlog) dhe digjitalizimin e shërbimeve gjyqësore, si një hap vendimtar për rritjen e aksesit në drejtësi dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët;
Organizimin nga Shqipëria të Kongresit Botëror të Drejtësisë në vitin 2027, si dëshmi e progresit të qëndrueshëm dhe e angazhimit të vendit për të qenë pjesë aktive e sistemit global të drejtësisë.
“Reforma në drejtësi nuk është thjesht një proces institucional, por një kontratë e re besimi me qytetarët tanë. Sot, Shqipëria përveçse nuk synon integrimin europian, është edhe një partner që kontribuon konkretisht në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare,” u shpreh Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e angazhimit të saj të pandërprerë për ndërtimin e një drejtësie moderne, të barabartë dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe globale.





© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.