Shqipëria, partnere serioze e Eurojust në luftën kundër krimit të organizuar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/06/2025

Shqipëria, partnere serioze e Eurojust në luftën kundër krimit të organizuar

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti në një takim zyrtar Presidentin e Eurojust, z. Michael Schmid, një mik i Shqipërisë dhe partner i çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.

Takimi nxori në pah marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Eurojust, ku Shqipëria vlerësohet si një partnere serioze, efikase dhe aktive në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike dhe në hetimet ndërkombëtare.

Gjatë takimit, palët u ndalën veçanërisht te Skuadrat e Përbashkëta Hetimore, një model suksesi në bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve partnere në Europë dhe Amerikën Latine, me rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

Ministri Manja rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të avancuar drejt një sistemi drejtësie efikas, të pavarur dhe të besueshëm, të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe të përkushtuar ndaj sigurisë juridike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.