Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në përurimin e mjediseve të GJKKO - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/05/2026

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në përurimin e mjediseve të GJKKO

Të nderuar drejtues të institucioneve të drejtësisë,

Të nderuar gjyqtarë, prokurorë, partnerë ndërkombëtarë, të ftuar,

Sot jam këtu në disa role që, në njëfarë mënyre, lidhen natyrshëm me njëri-tjetrin.

Si ish-Kancelar i Gjykatës së Tiranës.

Si lektor i Administrimit të Gjykatave në Shkollën e Magjistraturës.

Dhe sot, si Ministër i Drejtësisë.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, e di mirë se infrastruktura e një gjykate nuk është një çështje periferike e sistemit të drejtësisë.

Ajo është pjesë e mënyrës se si drejtësia funksionon çdo ditë.

Më kujtohet viti 2003, kur në Gjykatën e Tiranës ndërtuam 4 sallat moderne të gjykimit dhe nisëm automatizimin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore.

Për kohën ishte një ndryshim i madh kulturor dhe institucional.

Sepse aty ku shumëkush shihte vetëm mure, tavolina apo kompjuterë, ne kuptonim se po ndryshonim mënyrën si administrohej drejtësia:

  • Ritmin e proceseve,
  • Transparencën,
  • Aksesin,
  • Menaxhimin e shortit,
  • Seriozitetin procedural,
  • Dhe vetë perceptimin publik mbi gjykatën.

Në administrimin modern gjyqësor, salla e gjykimit nuk është vetëm vendi ku lexohet një vendim.

Ajo është ambienti ku shteti duhet të garantojë:

  • Paanshmëri,
  • Siguri,
  • Dinjitet procedural,
  • Barazi të palëve,
  • Dhe autoritetin e ligjit.

Pikërisht për këtë arsye, investimi që përurojmë sot në Gjykatën e Posaçme ka rëndësi reale për cilësinë e drejtësisë.

Sepse GJKKO nuk përballet me çështje rutinë.

Ajo trajton korrupsionin, krimin e organizuar dhe procese me kompleksitet të lartë procedural, financiar dhe teknologjik. 

Kjo kërkon jo vetëm integritet profesional, por edhe standarde të larta sigurie, organizimi dhe funksionaliteti.

Edhe rekomandimet e partnerëve europianë shkojnë pikërisht në këtë drejtim:

më shumë specializim, më shumë siguri për gjyqtarët, më shumë efikasitet procedural, më shumë dixhitalizim dhe menaxhim modern të çështjeve. 

Në këtë kuptim, 4 sallat e rikonstruktuara të gjykimit, 2 hollet dhe 16 zyrat e gjyqtarëve nuk janë thjesht investim fizik.

Janë pjesë e konsolidimit të standardit institucional të drejtësisë.

Dhe po, në këtë debat hyn edhe një çështje që ka marrë vëmendje publike: mënyra e organizimit të sigurisë në sallat e gjykimit, përfshirë të ashtuquajturin “kafaz”.

Kjo është një temë ku duhet të tregojmë maturi dhe seriozitet.

Sepse standardi europian kërkon një ekuilibër të kujdesshëm midis:

  • Sigurisë së procesit,
  • Dinjitetit njerëzor,
  • Prezumimit të pafajësisë,
  • Dhe mbrojtjes së rendit në sallën e gjyqit.

Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar apo çështje me rrezikshmëri të lartë kanë nevoja reale sigurie.

Por po aq reale është edhe detyrimi që çdo masë sigurie të jetë proporcionale, funksionale dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Europa nuk kërkon dobësim të sigurisë.

Kërkon profesionalizëm në administrimin e saj.

Dhe mendoj se ky është drejtimi ku duhet të ecim:

jo drejt spektaklit procedural, por drejt një drejtësie serioze, moderne dhe europiane.

Sot reforma në drejtësi ndodhet në një fazë tjetër.

Institucionet janë ngritur.

Sfida tashmë është konsolidimi i tyre.

Më shumë kapacitet.

Më shumë cilësi.

Më shumë standard profesional.

Më shumë besueshmëri publike.

Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me fazën ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit europian.

Ndërsa hyjmë në fazën përmbyllëse të negociatave për Kapitullin 23, barra mbi sistemin e drejtësisë bëhet edhe më e madhe.

Sepse Bashkimi Europian nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve.

Mat funksionimin e tyre të përditshëm.

Mat:

  • Efikasitetin e proceseve,
  • Standardin e administrimit gjyqësor,
  • Sigurinë juridike,
  • Mbrojtjen e të drejtave themelore,
  • Përdorimin e teknologjisë,
  • Dhe besimin që qytetarët kanë tek drejtësia.

Në këtë kuptim, edhe një sallë gjyqi funksionale, edhe një sistem modern menaxhimi çështjesh, edhe një ambient pune i sigurt për gjyqtarët janë pjesë e standardit europian të sundimit të ligjit.

Prandaj investime si ky i sotmi nuk janë investime periferike.

Janë pjesë e kapacitetit të shtetit shqiptar për të përmbushur detyrimet e veta europiane.

Sepse në fund, qytetari nuk e mat drejtësinë vetëm nga një vendim.

E mat edhe nga mënyra si funksionon institucioni.

Nga serioziteti i sallës së gjyqit.

Nga ritmi i procesit.

Nga ndjesia se shteti është i organizuar dhe i drejtë.

Dhe kjo është, në thelb, edhe filozofia europiane e sundimit të ligjit: Institucione që nuk imponojnë vetëm autoritet, por fitojnë besim.

Ju faleminderit!