Intervista e Ministres Gjonaj në emisionin ‘Java’ në RTSH. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/10/2020

Intervista e Ministres Gjonaj në emisionin ‘Java’ në RTSH.

Gazetarja: Kemi ndryshuar temën dhe po ashtu zonjën e ftuar dhe e pozicionuar në qëndër të tryezës, me ne është Ministrja e Drejtësisë zonja Etilda Gjonaj, mirëmbrëma mirësevini.

Etilda Gjonaj: Mirëmbrëma, faleminderit për ftesën.

Gazetarja: e përditshmja e Etilda Gjonajt, nga protesta në burgje tek beteja për drejtësinë e re. kështu e titullojmë këtë pjesë të dytë të emisionit “Java” pjesë të cilën e kemi nisur me dy fjalë që kemi ndjekur gjatë një konference të nivelit të lartë kundër korrupsionit, fjalë të ndërkombëtarëve, ku ka patur dhe një moment të rrallë. Është kërkuar nga Ambasadorja e SHBA një duartrokitje, një duartrokitje që është diskutuar gjatë. Zonja Ministre ju si e lexoni një simbol të tillë?

Etilda Gjonaj: Në rradhë të parë ajo ishte një konferencë e cila na shërbeu të gjithëve për të bërë me dije të gjithë përfaqësive diplomatike që janë të akredituar në Shqipëri lidhur me rezultatet e një raporti shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, rezultatet e GRECO-s në luftën kundër korrupsionit. Dhe patjetër ka rëndësinë e saj dhe vlerat e saj, raporti dhe rezultatet e raportit të GRECO-s, pasi është një raport që vjen nga një organizëm shumë prestigjoz i Këshillit të Europës, që ka tashmë 21 vjet i cili merret pikërisht me monitorimin jo vetëm të shteteve si Shqipëria të cilat janë jashtë BE, por të gjitha shteteve që janë anëtare të Këshillit të Europës. Dhe në këto rezultate Shqipëria arriti të zbatojë 90% të rekomandimeve të dhëna nga GRECO, duke përbërë kështu edhe vëndin e parë në rajon përsa i përket një rezultati të tillë. Padyshim ishte një kënaqësi e veçantë të kishim të ftuar Sekretarin Ekzekutiv të GRECO, i cili i shprehu vlerësimet e tij autoriteteve shtetërore Shqipëtare, lidhur me këto rezultate, pasi është një proces shumë i vështirë në të cilat shtetet kalojnë, ku edhe vënde të tjera Europiane shumë të zhvilluara e kanë të vështirë për të kaluar dhe zbatuar të gjitha rekomandimet e GRECO-s. Por në rastin e Shqipërisë pas një pune të jashtëzakonshme 4-vjeçare ne arritëm të kishim këtë rezultat. Dhe GRECO na ka hequr nga monitorimi përsa i përket këtij raundi. Më lejoni ta them fjalën ashtu si Sekretari Ekzekutiv i GRECO-s tha, ku raporti dhe rezultatet e GRECO-s nuk janë thjesht perceptime, por janë rekorde që janë faktike dhe jo teorike. Dhe doja ta cilësoja këtë sepse shpeshherë kemi diskutime mbi diskutime të qytetarëve për korrupsionin, ndërsa në rastin konkret po flasim për rezultate konkrete që ne i kemi arritur dhe është në fakt për të thënë që është një aspekt shumë pozitiv.

Lorenc Vangjeli: Nuk është perceptim por është fakt që ideja që pandëshkueshmëria e njerëzve të lidhur me politikën kryesisht, është një nga problemet kryesore të vëndit. A do të kishte mundësi që qytetari Shqipëtar ta shikonte që ata që kanë shpërdoruar taksat e tyre të kenë një fund tjetër, përtej atyre çfarë thuhen në konferenca?

Etilda Gjonaj: Vetëm për ta vijuar paksa mendimin e parë z.Vangjeli, edhe për të dhënë në fakt një vlerësim për punën e jashtëzakonshme që ka kryer ekipi i Ministrisë së Drejtësisë në këtë raport me GRECO-n. Dhe besoj që edhe vlerësimi që Ambasadorja dha në këtë konferencë, i kushtohet në fakt stafit  ekipit të Ministrisë së Drejtësisë edhe aktorëve të tjerë, autoriteteve të tjera shtetërore, padyshim Qeverisë dhe njëkohësisht organizatave të Shoqërisë Civile që kanë qënë pjesë, por padyshim unë besoj që ekipi i Ministrisë së Drejtësisë ka patur një rol të jashtëzakonshëm që ka koordinuar këtë proces me në krye zv.Ministren e mëparshme znj.Caka dhe në vijim zv.Ministren e re znj.Pirdeni.

E mora këtë moment për të dalë nga pyetja dhe për tu përgjigjur përsëri me qëllim që…

Lorenc Vangjeli: Le të themi drejtësia e vjetër pati atë fat që pati dhe e reja ende nuk është instaluar përfundimisht.

Etilda Gjonaj: Perceptimi i publikut përsa i përket korrupsionit padyshim është i rëndësishëm sepse në fund të fundit ka vlerat e tij në atë çfarë ne reagojmë dhe adresojmë si shqëtësim. Në fund të fundit kanë rëndësi masat që Qeveria merr për të adresuar edhe perceptimin e korrupsionit nga qytetarët, edhe për t’ju përgjigjur me masa që mund të jenë edhe masa represive. Dhe ne atë po bëjmë sot. Nëse nga një anë kemi punuar me parandalimin dhe këtë e them si koordinator kombëtar antikorrupsion. Kemi punuar me ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve duke ju ofruar shërbimet online, dhe sot janë rreth 7.5 Milionë shërbime që janë ofruar 1.6 subjekteve që janë të përfshirë në platformën e-albania, ku janë rreth 760 shërbime që ofrohen online. Dhe gjithë kjo çfarë tregon, tregon që është ulur korrupsioni i vogël në sportele, ku korrupsioni i vogël në sportele padyshim është një problem shumë i madh. Patjetër që perceptimin nuk e përbën vetëm kjo gamë e shërbimeve që i ofrohet qytetarëve por është edhe më tej. Por të gjitha këto janë të adresuara në disa masa. E para që unë do doja ta përfshija dhe ta përmëndja sidomos për pjesën ndëshkuese, ka të bëjë pikërisht me një rrjet antikorrupsion që ne tashmë e kemi ngritur dhe është në vazhdën e punës së Task Forcës Antikorrupsion që drejtohet nga Ministri i Drejtësisë si Koordinatori Kombëtar Antikorrupsion, dhe kemi patur rezultate të jashtëzakonshme, ku kemi marrë rreth 650 masa disiplinore për të gjithë ata të cilët kanë kryer shkelje, abuzim me detyrën apo korrupsion dhe në rastet kur ka patur indicie për korrupsion janë dërguar të gjitha çështjet në gjykatë, dhe numërojmë rreth 38 çështje që i janë dërguar gjykatës. Dhe në vazhdën e Task Forcës Antikorrupsion tashmë është ngritur Rrjeti Antikorrupsion i cili është një strukturë më e qëndrueshme ku janë koordinatorët antikorrupsion që do të atashohen në të gjitha agjencitë të cilat perceptimin e qytetarëve për korrupsionin e kanë më të lartë. Pra ndjeshmëria është më e lartë. Si në prona, tek tatimet, doganat, inspektoratët e ndryshëm, shëndetësi, arsim dhe këta janë vetëm në nivel qëndror. Dhe pothuajse një numër i dyfishuar do të jetë në agjencitë rajonale të cilët do të shërbejnë si avokatë të qytetarëve në rastet kur ka denoncime apo për abuzime në detyrë apo për korrupsionin. Dhe unë besoj që kjo i përket masave të reja dhe sëbashku me organet e drejtësisë SPAK, BKH, Gjykatat e Posaçme do të japin të gjithë mundësitë për të patur ndëshkueshmërinë në të gjitha nivelet.

Lorenc Vangjeli: Domethënë edhe me këtë pjesë mbetet të presim.

Etilda Gjonaj: Rezultate ka patur, dhe patjetër që do duhet më shumë punë, kemi edhe një institucion të ngritur rishtaz siç është SPAK. BKH ka aktualisht Drejtorin por ende të paplotësuar strukturën që do të kryejë të gjithë veprimet për çështjet e korrupsionit në aspektin penal. Në aspektin administrativ i kemi treguar rezultatet tona. Do duhet të bëhet më shumë patjetër dhe e kemi jo vetëm vullnetin por edhe angazhimin për të marrë çdo masë ndëshkuese për ata të cilët bëjnë korrupsion.

Lorenc Vangjeli: Dua një përgjigje të shkurtër për këtë sepse kjo ngrihet përsëri mbi gjykim dhe jo mbi perceptim. A nuk ju duket se SPAK-u është ndërtuar si një shpresë e shumë prej shqipëtarëve që kërkojnë ndëshkimin e peshqve të mëdhenj nëse përdorim metaforën e famshme, po përmbytet me çështje të vogla?

Etilda Gjonaj: SPAK-u ka patur një periudhë tranzitore, dhe beosj vazhdon ta ketë këtë periudhë tranzitore edhe për shkak të transferimit të një sërë dosjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Padyshim brënda juridisksionit të tyre. Por vetë SPAK-u tashmë që do të ndihmohet edhe nga BKH-ja sapo struktura të furnizohet me të gjithë hetuesit dhe policët gjyqësorë, do të ketë mundësi t’u japi pririoritet atyre që janë çështje të mëdha. Dhe besoj që deri në fund të dhjetorit që struktura e BHK-së të jetë e plotësuar, do të kemi mundësinë që të kemi disa rezultate.

Gazetarja: Ju zonja Ministre e keni konsideruar luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi si dy udhëtime që ecin paralelisht me njëra tjetrën. Në cilën pikë ndodhet reforma në drejtësi sipas këndvështrimit tuaj?

Etilda Gjonaj: Padyshim reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mund të ecin vetëm bashkë. Sepse në fund të fundit do të jetë reforma në drejtësi ajo që do të sjelli edhe rezultatet e ndëshkueshmërisë dhe bashkimin e forcave në luftën kundër korrupsionit. Janë të lidhura ngushtësisht dhe nuk mundet ta konsiderojmë që mund të ecin veçmas. Dhe për më tepër që reforma në drejtësi pati si elementin kryesor luftën kundër korrupsionit. Të gjithë qytetarët kërkonin reformën në drejtësi sepse mendonin që gjyqtarët dhe prokurorët ishin të korruptuar. Por në fazën në të cilën jemi mund të them që reforma në drejtësi ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Një sërë institucionesh të reja që tashmë janë në funksion dhe kanë kryer një proces…

Lorenc Vangjeli: Kur përfundon arkitektura përfundimtare e reformës në drejtësi? Kam parasysh kryesisht GJ.L dhe GJ.K. kur ato mund të jenë totalisht funksionale?

Etilda Gjonaj: Ajo që po thoja është që përtej faktit që ka disa problematika apo disa mangësi në atë ecurinë e zakonshme apo në atë ecurinë e pritshme të reformës në drejtësi. Sot reforma në drejtësi ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme. Sepse po të marrim vetëm procesin e vettingut një proces aq të vështirë ka arritur …

Lorenc Vangjeli: 70% e magjistratëve janë rrëzuar, 268 magjistratë.

Etilda Gjonaj: Vetë procesi i vettingut është një sipërmarrje e jashtëzakonshme. Ju thoni 70% por janë gati tek 55% të cilët janë larguar nga sistemi, që unë besoj që është një rezultat i jashtëzakonshëm, i pamendueshëm nga askush. Besoj me shifra jam më e saktë sepse i mora sot. Por e rëndësishme është që janë më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar procesin e vettingut sot të cilët janë jashtë sistemit të drejtësisë. Dhe duke patur parasysh që ky është një proces shumë i rëndësishëm, shumë kompleks, shumë problematik me një hetim administrative të jashtëzakonshëm që kryejnë institucionet e vettingut mund të them që kjo është një ndër rezultatet më të mëdha që reforma në drejtësi ka arritur.

Lorenc Vangjeli: Largimi i tyre nga sistemi është fundi i hesapit me sistemin apo është fillimi i një ndjekje të mundshme penale?

Etilda Gjonaj: Përpara se të përgjigjem tek kjo. Një masë e dytë ose një rezultat i jashtëzakonshëm i dytë që ka sjellë reforma në drejtësi është jo vetëm ngritja e të gjithë arkitekturës që është arkitektura e re, por nga ana tjetër ka prodhuar ato institucione të cilat ne i vendosëm si struktura bazë, struktura të themelit që do të garantojë nesër transparencën, vendime të drejta për qytetarët, që do të garantojë gjithashtu edhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në momentin që sistemi vetë ka bazat e shëndosha me të gjithë mekanizmat monitorues dhe kontrollues.

Ndërsa përsa i përket GJ.K dhe GJ.L dua të marr vetëm 1 minutë për ta sqaruar. Gjykata Kushtetuese ka 3 vakanca që janë në proces ku mesa kuptova nga ajo që kam dëgjuar publikisht në vakancën e Presidentit janë paraqitur 10 kandidatura, që do të thotë që KED do duhet të kryejë të gjithë procesin shumë shpejt lidhur me këtë vakancë. Presim shpalljen apo lajmërimin nga Kuvëndi për kandidatët, po përsëri për vakancën që Kuvëndi ka shpallur dhe njëkohësisht përfundimin e procesit të KED për vakancën e dytë të shpallur nga Presidenti. Që do të thotë brënda këtyre muajve deri në fund të vitit do duhet të kemi të paktën edhe 2 gjyqtarë të cilët unë besoj me gjithë procesin në fakt shumë të shpejtë që KED po kryen në këtë periudhë, besoj do kemi përfundimin e këtyre 3 kandidaturave apo 3 vakancave që janë shpallur për GJ.K.

Dhe në të njëjtin fat besoj do të jetë edhe Gjykata e Lartë me qëllim që të arrijmë një kuorum të mjaftueshëm që të ketë panele gjyqësore për të shyqrtuar çështje gjyqësore në GJ.L dhe njëkohësisht për të mundësuar uljen e Backlog-ut i cili në fakt është një problematikë e cila shqetëson njerëzit.

Lorenc Vangjeli: Ka disa ide sesi mund të bëhet që të ulet stoku i jashtëzakonshëm i çështjeve që janë për gjykim atje në bashkëpunim me USAID. E thënë me fjalë të tjera duhet ta them për publikun, sërisht Amerikanët janë mbas edhe kësaj historie.

Etilda Gjonaj: Të dy partnerët ndërkombëtarë, si amerikanët me strukturat e tyre, me misionet e tyre të asistencës dhe BE, absolutisht janë në çdo fazë, në çdo proces të zbatimit të reformës në drejtësi. Janë po aq të interesuar sa ne që reforma në drejtësi të arrijë rezultate të mira dhe të jetë e pakthyeshme, dhe kjo ka shumë rëndësi. Dhe besoj që GJ.L ka marrë jo vetëm këtë bashkëpunimin me grupin apo strukturën që po ndihmon për të evaduar dosjet, por ata kanë përfshirë edhe një praktikë shumë të mirë që ka të bëjë me gjykimet pilot apo trajtimet pilot, ku trajtojnë me një vendimmarrje një grup çështjesh të ngjajshme dhe ajo fillon të ulë backog e këtyre cështjeve të cilat presin në GJ.L me vite.

Lorenc Vangjeli: Lamë pezull idenë, sepse jam duke pritur me ankth përgjigjen tuaj. Rreth 268 ish-magjistratë të cilët vettingu i ka nxjerrë jashtë sistemit. Do të ketë ndjekje penale për ta zonjë?

Etilda Gjonaj: Padyshim vettingu ose pastrimi nga sistemi i drejtësisë për gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk kanë mundur të shpëtojnë nga ky proces, nuk është fundi i një procesi apo e vetmja armë që është e nevojshme për të arritur atë çfarë ne kemi kërkuar për reformën në drejtësi. Por për ato subjekte që ka indicie që nuk e kanë kaluar procesin e vettingut por ka indicie që ka një problematikë lidhur me pasurinë, me mosvlerësimin apo me një pasuri e cila nuk justifikohet nga vetë subjekti dhe përbën një vepër penale, padyshim për ta do duhet të fillojë hetimi penal. Dhe mund të ketë edhe subjekte të tjera të cilat mund të jenë larguar për shkak se nuk kanë besimin e publikut për të qëndruar në sistem për atë cfarë përbën integriteti i figurës të gjyqtarit dhe prokurorit, të cilët mbase jo detyrimisht do duhet të shkojnë në këtë proces penal. Por janë institucionet e vettingut, është vetë SPAK, është ONM të cilat në mënyrë proaktive do duhet të luajnë këtë rol me qëllim që të fillojë procedimi penal secila sipas përgjegjësisë ligjore.

Gazetarja: Ka patur reagime dhe madje edhe shqetësim për disa vendime që janë dhënë nga gjykatës të ndryshëm që dhe ju vetë i keni cilësuar si vendime të padrejta. Flas për ata gjykatës të cilët kanë nxjerrë në liri të burgosur të cilët kanë qënë të dënuar me dënime të përjetshme.

Etilda Gjonaj: Kjo është një situatë e cila ne, qytetarët janë gjëndur jo në pak raste. Unë reagimet e mia i kam bërë publike, po ashtu i kam ndjekur edhe në rrugë institucionale, ku të gjitha rastet që ne kemi patur indicie, pasi ne kemi hetuar në mënyrë administrative sidomos në periudhën tranzitore kur Ministria e Drejtësisë ka patur më shumë kompetenca sipas ligjit lidhur me këto shkelje, i janë drejtuar KLGJ apo KLD të mëparshme, të cilat më pas janë transferuar tek ILD i cili është ngritur në janar të këtij viti. Ka patur një sërë rastesh që ne i kemi referuar, dhe nuk janë thjesht në gjykimin tim por në bazë të  provave dhe fakteve që ne kemi administruar gjatë këtij hetimi administrativ që kemi kryer.

Gazetarja: Është edhe rasti i një gjyqtari nga Korça që ka kërkuar edhe përballje, që është edhe nën procedim penal për një çështje të tillë, dhe ka kërkuar edhe përballje me Ministren e Drejtësisë?

Etilda Gjonaj: Po edhe për këtë gjyqtar të rrethit gjyqësor Korçë ne kemi kryer të njëjtin proces. Ministri i Drejtësisë nuk është subjekt i drejtpërdrejtë pasi nuk e kryen funksionin e tij apo nuk merr veprime për shkak të personit, por merr për shkak të funksionit. Kështu që është paksa në konsideratat e mia, e çuditshme që të kërkojë të ballafaqohet me Ministren e Drejtësisë për një adresim të një çështje e cila e ka kryer në kuadër të funksionit që Ministri i Drejtësisë luan. Por gjithsesi është në vlerësim të gjithkujt. Unë di që KLGJ nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën. Padyshim mendoj që shumë shpejt do jepet vendimi edhe për gjyqtarin që MD e ka iniciuar si proces.

Lorenc Vangjeli: Por ky fenomen i një sërë lirimesh të të dënuarve me burg të përjetshëm, me konvertimin e dënimeve dhe nxjerrjen e tyre në liri tashmë ngjan si i frenuar. Pra a është një shqetësim që është tejkaluar në gjykimin tuaj? Apo ka të tjera raste që presin në rradhë?

Etilda Gjonaj: Mund të ketë. Ne jemi paksa më vigjilentë duke patur një rol më proaktiv, duke ndjekur të gjithë ato rastet që kanë një problematikë të ngjajshme të cilët mund të shkojnë në një vendimmarrje të ngjajshme, dhe padyshim këtë mundësi na e jep vetë sinjalizimi nga sistemi penitenciar. Por edhe reagimet jo vetëm institucionale po dhe publike të bëra dhe nga unë por edhe nga ata që sot kanë kompetencat e plota, besoj që ka arritur të ketë një frenim dhe të frenojë raste të tilla duke i minimizuar, sepse nuk mund të them që janë zeruar.

Lorenc Vangjeli: Zonjë, ka patur një reagim që është konsideruar befasues dhe në fakt Kryeministri Rama ka befasuar jo pak veten me një deklaratë të pak ditëve më parë ku thotë që njerëzit e koorporatës së drejtësisë  së djeshme sikundër ai e quante, janë edhe më të korruptuar se politikanët. Besoni dhe ju se është kështu siç thotë z.Rama dhe a mendoni se mund të jetë vota si një proces vettingu për politikanët, meqënëse vetë vettingu për politikanët është refuzuar nga maxhoranca juaj? Është me shumë interes të dëgjoj Ministren e Drejtësisë sesi do ta komentonte ajo Kryeministrin e saj? Mendoni vetëm një cast më shumë zonjë sepse Edi Rama do ishte shumë i interesuar të di mendimin tuaj në këtë rast.

(Hapsirë Publicitare)

Lorenc Vangjeli: Jemi rikthyer në studio. Është Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, një juriste karriere, një nga autorët, një nga ekspertet e Shqipërisë në shkrimin e reformës në drejtësi. Një nga eksperetet e mirënjohura, nga ku ajo mori edhe shtytjen e madhe për të thënë: i bëtë ligjet, shkoni provoni vetë, ti zbatoni. Është kështu zonjë?

Etilda Gjonaj: Ishte pak më e zbukuruar z.Vangjeli. unë modestisht them që kam qënë një ndër ekspertet që ka marrë pjesë në këtë reformë të madhe.

Lorenc Vangjeli: Unë nuk thash tamam atë që mendoja zonjë, ju jeni e detyruar ndoshta të bëni modesten në këtë rast. Por nëse unë them që ju kuptoni më shumë nga jurisprudenca se Kryeministri juaj, kjo është një e vërtetë që ju nuk do ta pohoni por është kështu.

Etilda Gjonaj: Unë do doja ti kthehesha pyetjes suaj…

Lorenc Vangjeli: Pyetja ime ka të bëjë me këtë: Rama thotë që janë më të korruptuar Gjykatësit e Koorporatës se drejtësisë së djeshme sesa politikanët. Kam përshtypjen se jo shumë shqipëtarë mendojnë si Rama.

Etilda Gjonaj: Unë në fakt shpeshherë edhe habitem me mundësinë që ka Kryeministri përtej faktit që nuk e ka background në fushën e drejtësisë, të kuptueshmërisë por njëkohësisht edhe të reagimit në aspekte absolutisht shumë të drejta. Në rastin konkret në thelb unë mendoj dhe jam e të njëjtit mendim me atë cfarë Kryeministri ka thënë dhe besoj që kështu është shumica e njerëzve që e kanë dëgjuar. Dhe ajo çka dashur të thotë Kryeministri Rama është nëse ne nuk kemi një sistem të shëndoshë të drejtësisë, nëse nuk kemi një sistem funksional, nëse nuk kemi një sistem me gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të pakorruptuar, nëse nuk kemi një sistem ku pandëshkueshmëria të luftohet, atëherë do të jetë e pamundur që vetë ndëshkueshmëria ndaj politikanëve të jetë e realizuar. Dhe e gjithë kjo do të thotë që duhet patjetër që sistemi i drejtësisë të jetë funksional, me qëllim që të ndëshkojë në të gjitha aspektet apo fushat e tjera duke përfshirë edhe politikën se politikanët vetë nuk e dënojnë dot veten. Por edhe nëse dënohen 2-3 politikanë nuk do të thotë nëse nuk e kemi këtë sistem të shëndoshë të drejtësisë edhe me gjyqtarë edhe prokurorë që do duhet po gjithashtu të ndëshkohen nëse kanë kryer vepra penale që lidhen me korrupsionin apo me vepra të tjera, atëherë do të jetë e pamundur që pikërisht  ky proces ndëshkueshmërie të shkojë deri tek politikanët qoftë edhe për korrupsion apo për vepra të tjera, ashtu si edhe në të gjitha fushat e tjera.

Gazetarja: Një ndër dhimbjet e kokës që mund të ketë një Ministër Drejtësie, është edhe gjëndja e burgjeve. Si po menaxhohet situata? Si paraqitet aktualisht nën shenjën e COVID-it, meqënëse jemi në periudhë pandemie?

Lorenc Vangjeli: Shto këtu edhe një spirale grevash urie që ju dërgonin kërkesa deri edhe për ndryshim legjislacioni. Nëse ju kërkonit që të ndëshkoheshin gjyqtarët që firmosnin nxjerrjen në liri të të dënuarve me burg të përjetshëm, ata kërkojnë që ti hiqet fare dënimi me burg të përjetshëm.

Etilda Gjonaj: Tani përtej vështirësive që ne kemi trashëguar nga ky sistem, në mungesë totale të investimeve, qoftë të infrastrukturës, por edhe investimeve në burime njerëzore. Kemi arritur të përballojmë një reformism tërësor në sistemin penitenciar. Është vetëm fillimi padyshim, por kemi arritur që në një periudhë shumë të shkurtër, të kryejmë reforma legjislative duke miratuar 4 ligje të rëndësishme të sistemit të burgjeve dhe të shërbimit të provës. Të kemi një trajtim të përshtatshëm financiar për punonjësit e policisë së burgjeve që nuk e kanë patur këtë për pothuajse më shumë se 10 vite. Ku  7% kishte një rritje page në këtë vit dhe gjithashtu do të pasojë me një rritje tjetër në 2020 dhe 2021 të sanksionuara këto në ligj dhe askush nuk lëviz dot për atë cfarë kemi parashikuar në dispozitë në ligjin përsa i përket policisë së burgjeve. Përveç të gjithave do duhet të përballonim edhe 2 gjëndje të jashtëzakonshme që lidhet me tërmetin ku padyshim të gjithë njerëzit kishin merakun e familjeve të tyre, punonjësit e policisë së burgjeve, ata që administrojnë burgjet, punonjësit civil ishin të detyruar të qëndronin në burgje. Kuptoni panikun e njerëzve të zakonshëm dhe mendoni çfarë shkalle vështirësie kanë në institucion të sigurisë së lartë apo edhe në një institucion të një sigurie ku është institucioni i burgut. Dhe përtej saj pa arritur që të rimëkëmbeshim edhe të merrnim veten na ndodhi pandemia ku padyshim edhe në sistemin e burgjeve pavarësisht se shërben si një karantinë më vetë ka problematikat e veta sepse virusi mund të futet, atëherë është e vështirë të ndalet zinxhiri. Ajo çfarë ne kemi bërë në bashkëpunim padsyhim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me strukturat e tyre që janë për tu falenderuar për faktin që janë gjëndur në një kohë shumë të shkurtër dhe njëkohësisht kanë realizuar me shumë kujdes të gjithë hetimin epidemiologjik që kanë kryer edhe në popullatë, kanë patur një kujdes më të shtuar në sistemin e burgjeve duke ditur edhe rëndësinë. Por e gjitha kjo është arritur të përballohet edhe me një sforco të madhe edhe nga punonjësit e policisë së burgjeve pasi na është dashur gjithashtu jo vetëm të marrim masat antiCOVID, por njëkohësisht kemi edhe disa kufizime për liritë dhe të drejtat e të dënuarve të cilat nuk ndodhen vetëm në vëndin tonë por në një sërë sistemesh penitenciare pothuajse në të gjitha vëndet e botës siç ishte moslejimi i takimeve të dënuarve me familjarët apo elementë të tjerë që lidhen me pikërisht për të mbrojtur shëndetin e tyre. Dhe të gjitha këto elementë arritën të na jepnin si të thuash një menaxhim më të kujdesshëm të rasteve me COVID në sistemin e burgjeve.

Lorenc Vangjeli: Shumë pak raste ka patur…

Etilda Gjonaj: Ka patur pak raste, nuk kanë qënë massive. Na ndihmoi padyshim edhe akti normativ ku rreth 490 të dënuar u vendosën që të qëndrojnë në mënyrë të përkohshme në shtëpi me afat 3- muaj. Më pas patëm një shtyrje po ashtu me një afat tjetër 3-mujor. Kështu që gjithë ky proces deri më tani është menaxhuar siç duhet. Kemi marrë edhe masat tona për patur edhe plan rezervë nëse do të kemi raste më të shtuara ku qëndra spitalore e burgjeve shërben për të trajtuar ata të cilët kanë nevojë për një shërbim shëndetësor më të specializuar që janë të dënuar, apo edhe në një rast të dytë nëse do të kemi nevojë për të vendosur ambjentet e burgut të “Shën Koll” në Lezhë i cili po gjithashtu do të shërbejë po me të njëjtin qëllim.

Lorenc Valngjeli: Përgjigja juaj për protestën me uri e të burgosurve

Etilda Gjonaj: Ajo në fakt ishte kryesisht një refuzim i ushqimit nga një grup i të dënuarve në burgun e Peqinit. Filloi si një reflektim i vendimeve të marra për regjimin 41 bis dhe ne e dinim, të gjitha institucionet e përfshira duke përmëndur këtu SPAK, Agjencitë e ndryshme, Policinë e Shtetit, DPB, e kishim të qartë që nuk ishte një vendimmarrje e lehtë. Por padyshim kjo ishte fillesa e kësaj revolte e cila u pasua më pas edhe në disa institucione. Por qëndra ishte Peqini. Vetë ekipi i DPB, bashkë me SHKBB dhe një ekip të Ministrisë arritën që ta menaxhojnë situatën. Padyshim kemi nxjerrë përgjegjësitë për ata drejtues apo për ata punonjës që nuk kanë arritur ta menaxhojnë ashtu siç duhet këtë situatë. Ndërkohë ka një çështje tashmë të referuar në Prokurorinë e Elbasanit ku do të hetohen të gjithë elementët apo faktorët që kanë ndikuar në këtë revoltë e cila u masivizua edhe në disa institucione të tjera.

Lorenc Vangjeli: 41bis që ngjan si tmerri i atyre që janë pas hekurave. Çfarë po ndodh? Kemi të dhënë se sa të dënuar ndodhen nën këtë regjim?

Etilda Gjonaj: Patjetër, aktualisht janë 7 subjekte që ndodhen nën këtë regjim. Ndërkohë 7 subjektet e parë që çanë edhe praktikën e parë sepse kishte vështirësitë e veta si një praktikë e re, ndërkohë të gjitha institucionet në fakt kanë patur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm pasi aty nuk ishte një proces që e kryente vetëm Ministri i Drejtësisë. Vërtetë Ministri i Drejtësisë merrte vendimin në fund, por është një proces që është kryer nga të gjitha institucionet. Është një proces i cili vazhdon. Thyerja e akullit u bë me 7 subjektet e para dhe është një proces që vazhdon.

Lorenc Vangjeli: Unë e di që nuk duhet ta bëj, megjithatë po e them dhe po e lë pezull zonjë. Kureshtje e publikut pavarësisht se kanë dalë aty këtu, është për emrat e atyre njerëzve të cilët kanë thyer akullin. Unë e di që ndoshta nuk duhet të pyes Ministren e Drejtësisë për emrat.

Etilda Gjonaj: Emrat janë bërë publik. Shpeshherë nuk merrem me emrat por me faktet dhe mbi atë çfarë ka ardhur si propozim nga institucionet përkatëse.

Lorenc Vangjeli: Jua thashë një gjë të tillë për tu shmangur nga emrat dhe për të dalë tek parimi. Një nga themelet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës janë liritë zonjë dhe prezumimi i pafajësisë. Çdo qytetar prezumohet i pafajshëm derisa një gjykatë të vërtetojë dhe të vendosë të kundërtën me një vendim të formës së prerë. Por në Tiranë të gjithë bërtasin burg, burg, burg. Është një refren dhe ngjan sikur burgu është një zgjidhje cudibërëse e hallit dhe problemit tonë. E ndani si shqetësim faktin që mendësia mbizotëruese në shoqërinë shqipëtare është që prokurori i mirë dhe gjykatës i mirë është ai që mban në burg edhe për dyshime jo fort të arsyeshme, ndërkohë që nuk shihen masa të tjera alternative. Domethënë Kodi i Procedurës njeh heqjen e passaportës, arrestin e shtëpisë, detyrimin me paraqitje që janë në raste të ndryshme. Për ta pasur edhe më të thjeshtë. Një nga çështjet më të famshme në SHBA,  “Ojey Simson” i akuzuar që vrau të shoqen dhe të dashurin e saj, ka bërë vetëm një javë heqje lirie dhe e kanë ndjekur procesin e tij dhe që bëri një bujë të jashtëzakonshme në SHBA, e ndoqi procesin në liri sepse pagoi një garanci pasuror. Ndërkohë në Shqipëri të vjedhësh një cellular do të rrish me muaj të tërë në qeli. Është çështje mendësie zonjë. Dhe kjo është duke shtrënguar burgun, duke mbyllur prangat. Ne kemi krijuar hapsirën për gjykatësit apo edhe prokurorin apo të dy bashkë, që të rrisin çmimin e pazarit të pisët që luhet mbi drama dhe tragjedi individësh pa emër në këtë rast, familjesh e kështu me rradhë. Por që rëndojnë mbi secilin prej nesh. Prodhojnë dhe fabrikojnë banditë edhe atje ku nuk ka. Edhe atje ku ka edhe fajtorë të vegjël.

Etilda Gjonaj: Është një shqetësim edhe i imi përsa i përket politikës penale që zbatohet kryesisht në Shqipëri. Kjo veç ose e ndarë nga kapelja ose pozicioni që ka Ministri i Drejtësisë. Këtë e thashë si një jurist penalist. Por në përgjithësi politika penale është e drejtuar mbi parandalimin. Por ndodh që Qeveritë në kohë të caktuara të kenë edhe pririoritete në fusha të caktuara për të luftuar krimin. Dhe ndodh që politika penale të jetë më e ashpër në disa vepra penale në një kohë të caktuar për shkak se mund të jetë fenomen. Dhe e rëndësishme është që të kenë të njëjtën kuptueshmëri dhe të kenë të njëjtin dakortësi. Jo vetëm pushteti Ekzekutiv komandon apo kërkon ashpërsim të politikës penale, të jetë në të njëjtën kuptueshmëri legjislativi, dhe në të njëjtën kuptueshmëri sistemi i drejtësisë me qëllim që të zbatohet ashtu siç duhet. Por ajo çfarë ka qënë si shqetësim edhe i ekspertëve kryesisht penalistë, ka të bëjë pikërisht me një politikë penale e cila është jo duke ju përgjigjur atyre të cilët janë rrethana apo kërkesa të një shoqërie e cila shpeshherë modernizohet, ecën. Dhe për këtë arsye ne kemi marrë një iniciativë e cila është hartimi i një kodi të ri penal ku për shkaktë ndërhyrjeve të shumta që janë bërë kohë pas kohe. Ashtu siç thashë me qëllimin dhe arsyen e asaj çfarë ne kemi kërkuar. Dhe do të jetë pikërisht ky kod i ri penal i cili është i drejtuar drejt një politike penale jo vetëm në përafrime me legjislacione të tjera, jo vetëm në përafrime me direktiva të BE. Jurisprudenca padyshim të GJEDNJ dhe të gjykatave vëndase, por njëkohësisht mbi bazën e analizës së fenomeneve që mund të kenë qënë dikur, por sot nuk janë fenomene, që kanë qënë fenomene dikur dhe kanë patur një ashpërsim të politikës penale por sot nuk janë më fenomene. Dhe pikërisht ky Kod Penal i ri do të trajtojë politikën penale, duke parë ndëshkueshmërinë apo ndëshkimin më të lartë, apo një politikë penale më të ashpër për disa fenomene apo për disa vepra penale. Duke shkuar me të njëjtën vijë logjike.

Lorenc Vangjeli: T’ju jap po këtë linjë. Supozojmë vepra penale që maksimumin e dënimit e kanë 3, 4 apo 5 vjet burg. Janë raste pafund zonjë që qëndrojnë njerëz në paraburgim për muaj dhe ndoshta edhe vite pa mbaruar hetimi gjyqësor i tyre, ndërkohë që mund ta presin këtë hetim gjyqësor në liri. Dhe ta bëjnë me dënime alternative…

Etilda Gjonaj: Dënimet alternative janë në ligj ju e thatë problemi është tek zbatueshmëria…

Lorenc Vangjeli: Janë në ligj por problemi është tek zbatueshmëria, sepse për një cigare Hashash ka ndodhur që dikush është gdhirë shumë e shumë net në qeli zonjë. Dhe duke krijuar dhe fabrikuar banditin. Çfarë bën ekzekutivi në këtë rast?

Etilda Gjonaj: Ka të bëjë me zbatueshmërinë nga prokurorët dhe gjykatat. Ekzekutivi rekomandon, dhe një ndër rekomandimet që ne i kemi dërguar prokurorisë së përgjithshme ka qënë pikërisht zbatimi më shumë i dënimeve alternative.

Lorenc Vangjeli: Ju keni bërë një rekomandim të përbashkët me PP në mars mos gaboj.

Etilda Gjonaj: Jo çdo mars ne bëjmë rekomandimet e Qeverisë të cilat rekomandohen nga Qeveria dhe i rekomandohet insititucionit të qeverisë duke ju drejtuar PP. Dhe një ndër këto rekomandime është pikërisht, zbatimi më shumë i dënimeve alternative.

Lorenc Vangjeli: Dhe jo arresti me burg gjithmonë si zgjidhje. Zonjë ju mund të mblidheni grup ekspertësh dhe ju mund të bëni brënda natës, ndryshimet në Kod ose mund të shkruani një kod të ri penal.

Etilda Gjonaj: Jo nuk e shkruajmë dot brënda natës se kemi më shumë se një vit që punojmë për të.

Lorenc Vangjeli: I ka bërë perëndimi shumë kohë përpara nesh merr një model dhe e përkthen. Po shkojmë në ekstrem. Por përpjekja juaj besoj për të ndryshuar një mendësi të tërë zgjat ndoshta edhe një brez njerëzor.

Etilda Gjonaj: Të ndryshosh mendësinë është shumë e vështirë sepse ka gjyqtarë dhe prokurorë që shpeshherë zbatojnë masën e arrestit nga frika apo për të qënë brënda. Dhe kjo është arsyeja thashë sepse ne edhe në rekomandimet që i drejtojmë Prokurorit të Përgjithshëm që janë rekomandime që monitorohen sesi janë zbatuar, çdo vit i kemi rekomanduar zbatimin e dënimeve alternative.

Lorenc Vangjeli: Ju kuptova zonjë.

Gazetarja: Një ndryshim që ka ndodhur meqënëse po flasim tek ndryshimet, mendoj unë. Është ndjekja e parave të krimit, mënyra sesi ndiqen. Ka patur shumë debat për atë që njihet si OFL-ja. Dhe duket që po praktikojmë një metodë  që e praktikojnë vëndet e huaja ku nuk ndiqen më këto para me policë me kobure, por ndiqen me ekonomistë me laps. Unë dua t;ju pyes njëherë për fenomenin. Sa i përhapur është fenomeni i pastrimit të parave në Shqipëri?

Etilda Gjonaj: Ky ka qënë dhe vazhdon të jetë një praktikë në të gjitha vëndet e botës, ku më shumë e ku më pak, si fenomen por edhe në mënyrën sesi luftohet, nga të gjtiha shtetet me masa për të ndjekur paratë dhe për të zbuluar më pas krimin. Padyshim është një fenomen shqetësues. Një ndër këto masa është pikërisht veprimtaria që kryhet nëpërmjet OFL-së për të hetuar paratë e Krimit të organizuar apo të atyre që janë subjekte të këtij ligji. Dhe e dyta ka të bëjë me një sërë masash në nivel legjislativ dhe administrativ që Qeveria ka ndërmarrë në mënyrë të bazhdueshme. Dhe për të adresuar pikërisht edhe rekomandimet që vijnë nga MONEYVAL i cili është po ashtu një mekanizëm i Këshillit të Europës që monitoron Shqipërinë dhe të gjitha vëndet e tjera. Ne të gjitha rekomandimet e MONEYVAL-it në kuadër të parandalimit dhe pastrimit të parave kemi miratuar një plan veprimi i cili është në fakt ndërinstitucional, nuk është thjesht i qeverisë pasi përfshin një sërë autoritetesh të tjera shtetërore ku aktualisht po ndiqet edhe nga zv/Kryeministri me një pririoritet të jashtëzakonshëm. Dhe kemi marrë një sërë masash legjislative që kanë të bëjnë kryesisht me ato fenomene, apo në ato fusha ku ka një ndjeshmëri më të lartë përsa i përket pastrimit të parave. Dhe mund të përmënd këtu një sërë ligjesh që ne i kemi përgatitur dhe janë duke u miratuar në Qeveri, që ka të bëjë pikërisht me ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme që është një subjekt apo një veprimtari e parregulluar në ligj më përpara. Për regjistrin qëndror të llogarive bankare apo për pronarët përfitues, por njëkohësisht edhe në fushën e profesioneve të lira siç janë noterët apo përmbaruesit. Dhe madje ne kemi kaluar edhe në një fazë më tej, në muajt në vijim ne kemi përgatitur një sërë inspektimesh të të gjithë noterëve që kanë një risk të gjykuar nga analiza e të dhënave që është bërë për shkak të transaksioneve që kanë kryer apo akteve noteriale që  kanë kryer, të cilët do të kalojnë një inspektim të detajuar përsa i përket pikërisht pastrimit të parave. Dhe besoj të gjitha këto masa që ne kemi ndërmarrë në aspektin administrativ dhe legjislativ do të arrijnë të adresojnë ashtu siç duhet për zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it.

Lorenc Vangjeli: Zonja Ministre kemi folur për politikë. Në Tiranë edhe kur zgjohesh në mëngjes e thua mirëmëngjes, e kur ngryshesh thua natën e mirë, shqipëtarët bëjnë politikë. Mund t’ju bëj një pyetje midis mëngjesit dhe darkës suaj si Ministre dhe tashmë dhe si veprimtare e PS. Mësoj që jeni caktuar kandidate për deputete apo dicka e tillë si funksionon në partinë tuaj, e deleguar në njësinë 7? Do ta shikojmë zonjën Gjonaj përveç kostumit të Ministres edhe me mandatin e deputetes kësaj rradhe në një angazhim direkt politik?

Etilda Gjonaj: Është e vërtetë që unë kam një angazhim politik si e deleguar politike në njësinë 7 në Tiranë, por është ende herët për të folur nëse unë do të jem kandidate apo jo sepse në rradhë të parë po kryhet një proces i jashtëzakonshëm që PS po kryen për vlerësimin e deputetëve dhe vlerësimin e Ministrave duke përfshirë edhe Kryeministrin vetë. Ku do të vijnë vlerësime nga anëtarësia e PS. Por padyshim do të merren edhe vlerësime edhe nga qytetarët. Dhe pastaj do të jenë strukturat drejtuese të PS sëbashku me kryetarin e partisë Kryeministrin Rama që do të vlerësojnë se kush do të jetë skuadra me të cilën do të garojë në zgjedhje. Por pavarësisht kësaj do jem apo nuk do jem, unë absolutisht do të angazhohem në çfarëdolloj pozicioni politik që do të më ngarkohet. E para sepse mendoj që PS duhet të marri mandatin e tretë për të vijuar konsolidimin e këtyre reformave të jashtëzakonshme që vetëm PS di ti marrë dhe di ti bëjë. Dhe e dyta sepse kam një përgjegjësi shumëplanëshe për ti kthyer me kontributin tim politik apo në angazhimin partiak, PS dhe Kryetarit të Partisë, besimin që më dhanë për të qënë Ministre në këtë mandat për këtë periudhë. Besoj që kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe do duhet padyshim që ky angazhim i imi pavarësisht se politika ka vështirësitë e veta, pra nuk është ai emancipim i politikës apo dhe vetë shoqërisë që duhet të jetë sepse, kundërshtari mund të jetë një kundërshtar politk por shikohet në aspektin e akuzave institucionale, mundet të jenë edhe akuza penale, mund të jenë edhe retorikë e ashpër politike….

Lorenc Vangjeli: Aq më tepër që politika në Shqipëri nuk është vallëzim balerinash por është shkelm futbollistësh…

Etilda Gjonaj: ….shkelm futbollistësh mund të jetë por nuk duhet të jetë me shpifje, jo me baltë. Të jetë me retorikë të ashpër politike, të jetë dhe me akuza qoftë edhe penale nëse është e nevojshme. Por ama të jetë një luftë apo një betejë që bëhet brënda etikës pa baltë, pa shpifje të cilat në fund të fundit qytetari i dëgjon secilin nga ne, vlerëson dhe në fund vendos me votë se kujt do t’ja japi votën.

Lorenc Vangjeli: Zonjë unë ju falenderoj. Edhe në emër edhe të kolegut Zogaj unë ju falenderoj shumë që ishit këtu.

Etilda Gjonaj: Faleminderit juve për ftesën.