Blerina Bulica - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/06/2026

Blerina Bulica

Znj. Bulica është e diplomuar në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka përfunduar studimet Master mbi “Legjislacionin dhe Institucionet e Bashkimit Evropian” pranë Institutit të Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës, si dhe një Master të dytë në programin “E Drejta Ndërkombëtare: Drejtësia, fusha penale dhe të drejtat e njeriut” pranë Universitetit të Birminghamit, Mbretëria e Bashkuar. Ka kryer kualifikime të shumta brenda dhe jashtë vendit në fushën e diplomacisë, të drejtat ndërkombëtare të njeriut, drejtësia dhe digjitalizimi i sistemeve gjyqësore. Znj. Bulica ka një përvojë të pasur profesionale mbi 25 vjeçare, ku fillimisht ka shërbyer në Zyrën e Përfaqësimit Ligjor të Qeverisë Shqiptare para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe strukturave të Këshillit të Evropës fillimisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe më vonë në Avokaturën e Shtetit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Më tej, ka punuar si konsulente afatgjatë për Komisionin Europian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) të Këshillit të Evropës në kuadër të programeve të përbashkëta BE/KiE për Shqipërinë, dhe si konsulente ndërkombëtare për disa programe të Këshillit të Evropës në fushën e të drejtave të njeriut. Ka botuar publikime si autore dhe bashkëautore në revista dhe manuale kombëtare dhe ndërkombëtare. Si anëtare e Shoqatës së Kërkimeve Shkencore të Administrimit të Drejtësisë (JARA), ka kontribuar si autore e nj[ artikulli shkencor për edicionin special të JARA-s në revisten nderkombëtare mbi administrimin e gjykatave IJCA, ndërsa si anëtare në Institutin e së Drejtës Evropiane (ELI) është kontribuese në një studim të ELI me titull “Digjitalizimi i sistemeve të drejtësisë civile në Evropë”.

Fusha e angazhimit: Efikasiteti dhe cilësia e sistemeve gjyqësore; Të drejtat e njeriut; Sundimi i ligjit; Ekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ-së; E drejta ndërkombëtare në fushën penale dhe civile; Digjitalizimi i drejtësisë